E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria mbetet vendi i besimit të palëkundur për investitorët e huaj

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të furrës së re elektrike me hark dhe impiant integrues filtrimi, në kompaninë e çelikut “Kurum” në Elbasan, e cila festonte sot edhe 10 vjetorin e fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri.

Kryeministri Berisha u shpreh se pas 10-vitesh aktivitet, vështirësish dhe suksesesh, kjo kompani finalizon sot një investim me sukses të madh, prej 120 milionë euro.


Ky, u shpreh Kryeministri Berisha, është një investim, me të cilin kjo kompani vendos standardet më të sigurta të mbrojtjes së mjedisit, pra të shëndetit të njerëzve.
“Me këtë investim, kjo kompani e rrit kapacitetin shkrirës të këtij kombinati nga 50 mijë ton në 900 mijë ton,duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet e rëndësishme të prodhimit të çelikut në rajon”, u shpreh Kryeministri.


Duke e vlerësuar këtë si një zhvillim madhor për ekonominë shqiptare, dhe për vendin në tërësi , i cili ndërtimin e ka dhe do ta ketë për vite e dekada, promotorin kryesor të zhvillimit, Kryeministri tha se rritja e kapacitetit të prodhimit nga kjo kompani ka një domethënie të veçantë po të kemi parasysh vitin dhe kohën në të cilën bëhet.

“Ekonomitë e mëdha të botës po përjetojnë sot një nga krizat më të thella në historinë e tyre. Kjo krizë është shoqëruar me shembje të bankave më të mëdha të globit, është shoqëruar me një shok të vërtetë të korporatave më të mëdha. Kjo krizë në thelb është shoqëruar me një shembje të besimit tek financat dhe biznesi sa kurrë ndonjëherë më parë. Ky inaugurim është dëshmia më e qartë e soliditetit të ekonomisë shqiptare, e besimit të madh dhe të palëkundur të bankave, të kompanive të biznesit tek Shqipëria dhe klima e saj investuese”, vlerësoi Kryeministri.

Më pas, Kryeministri Berisha startoi butonin e fillimit nga puna të impiantit dhe furrës së re.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe ministri i Mjedisit, z.Lufter Xhuveli, ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Ardian Turku, drejtues të pushtetit vendor, etj.


14/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›