E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeveprat e 2008-ës rikthehen në Teatrin Kombëtar

Autori i Lajmit: red.
Natyrisht që kryeveprat e vëna në skenën e Teatrit Kombëtar kanë lënë shije të gjatë në publik. Është një mënyrë e re, ndoshta, e këndvështrimit në këtë vit të ri të punës dhe shfaqjeve. "Trojanët" dhe "Fishkëllimë në errësirë" do të ngjiten sërish në skenën e TK. Është zjedhur kjo mënyrë rifreskimi e shfaqjeve, për të sjellë ndoshta vëmendjen sërish tek artistët e mëdhenj, të cilët nuk i mungojnë skenës shqiptare, por që natyrisht koha dhe mosha bëjnë të vetën. E ndoshta pas shfaqjes "Rouz" me protagoniste aktoren e madhe Drita Pelingu, e cila është dhe lamtumira e saj me skenën dhe publikun, artistët e mëdhenj, të cilët luajnë në vepra po kaq të mëdha, presin t i ikin skenës shqiptare. Kështu Tinka Kurti, Margarita Xhepa apo Reshat Arbana do të vijnë sërish në role protagonistësh, të cilat mbledhin rreth vetes artistë me eksperiencë dhe të rinj. "Trojanët" sjell ende në këtë vit të ri suksesin që e shoqëroi në premierën në Festivalin e Teatrove të Butrintit, dhe më pas me premierat jashtë kufijve shqiptarë, siç ishte dhe ai në vendin e lindjes së veprës, Greqia. Margarita Xhepa do të risjellë dhe një herë me artin dhe teknikën e saj aktoriale Amebën, e cila do të vajtojë dhe do të qajë bashkë me gjithë gratë e tjera trojane, fatin e burrave të tyre. Dhimbje dhe lot t u dorëzosh trupat e djemve, burrave të tyre, armikut në fund të humbjes së luftës. E ndërkohë që nga ana tjetër Reshat Arbana dhe Bujar Asqeriu me regjinë e Spiro Dunit sjellin në vëmendje dhe një herë dhunën në familje. Vepra duket se i ka të hedhura fort rrënjët dhe në Shqipëri. Dhe si për paradoks dhe mesazh të një realiteti që vjen nga larg Shqipërisë, "Ndal dhunës" do të thuhet këtë herë në shqip përmes veprës "Fishkëllimë në errësirë". E kështu pasojnë në TK veprat e vjetra në këtë vit të ri, por që natyrisht sjellin emra të mëdhenj përmes veprash të mëdha.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›