E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Varfëria ka fytyrë” edhe në Strasburg

Autori i Lajmit: red.
Fotografia “Jetimet”, e shkodranit Luigj Mila, është e vetmja me të cilën Shqipëria po përfaqësohet në ekspozitën “Varfëria ka një fytyrë”, e hapur në ndërtesën e Këshillit të Evropës, në Strasburg nga datat 26 janar - 6 shkurt. Luigj Mila, drejtues i shoqatës “Drejtësi dhe Paqe”, me qendër në Shkodër, amator i hershëm i fotografisë, shpjegon se "në ekpozitë janë përfaqësuar 34 vende të Evropës, mes tyre dhe Shqipëria". Ai thotë se në këtë ekspozitë ku janë paraqitur 50 punime, të gjitha me temën e varfërisë, Shqipëria ishte planifikuar të merrte pjesë me dy punë, por njëra nga këto, për arsye teknike, nuk u ekspozua, pasi nuk u arrit të dërgohej në Strasburg. Kjo, sqaroi Mila, ishte tabloja “Lypësi i vogël”, e piktorit të talentuar Pashk Përvathi, e punuar me vaj në kanavacë. Teksa flet për foton e tij, fotografi amator thotë se ajo paraqet dy vajza jetime nga zona e Dukagjinit, nënat e të cilave u mbytën brenda një nate në ujërat e lumit Kir, ndërsa ktheheshin nga Shkodra ku kishin shkuar me dy mushka për të blerë miell për familjet e tyre. Kjo ekspozitë synon ndërgjegjësimin për një aksion të përbashkët, ku vëmendja e opinionit të kthehet drejt të varfërve të botës. Pas Strasburgut, ekspozita do të hapet nga 18-25 shkurt edhe në Konferencën Ipeshkvnore të Francës, në Paris.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›