E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi i artë

Sulmuesi argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi fitoi çmimin inaugurues FIFA Topi i Artë, si futbollisti më i mirë në botë për vitin 2010. Ai mposhti dy bashkëlojtarët e tij nga Barcelona, Xavi Hernandez dhe Andres Iniesta. Te femrat, fitoi braziliania Marta, ndërsa kosovarja Fatmire Bajramaj doli e treta. Nga Express më 10 janar 2011 në ora 20:01

Argjentinasi Lionel Messi mposhti bashkëlojtarët e tij të Barcelonës, Xavi Hernandez dhe Andres Iniesta dhe mbrojti kurorën e futbollistit më të mirë në botë.

Messi 23 vjeç është fituesi i parë i çmimit të parë FIFA Topi i Artë, pasi Federata botërore e futbollit e bashkoi çmimin e saj me atë të magazinës France Football, që vitin e kaluar ishte fituar po ashtu nga Messi.

Megjithatë, ai ndihet i pakompletuar pasi Argjentina u eliminua në çerekfinale të Kampionatit botëror 2010.

“Më me dëshirë do të fitoja Kampionatin botëror sesa të votohem futbollisti më i mirë në botë”, tha ai para ceremonisë së çmimeve në Zurich.

Por, pasi u shpall fitues, ai deklaroi: “Jam i befasuar që kam fituar, por i kënaqur që jam këtu me shokët e mi. Të fitoj përsëri e bënë këtë edhe më të veçantë. Dua të ndaj çmimin me të gjithë shokët, me familjen time, të gjithë tifozët e Barcelonës dhe Argjentinës”.

Loja e tij e jashtëzakonshme ishte arma kryesore e Barcelonës që dominoi në vitin 2009, ndërsa e mbrojti titullin e kampionit në La Liga, vitin e kaluar me rekord 99 pikë. Messi shënoi 34 gola në 35 ndeshje në La Liga, ndërsa ka realizuar 18 në 15 takime në këtë edicion, derisa Barcelona përsëri kryeson në tabelë.

Shumëkush kishte menduar se fitues do të jetë Iniesta, i cili shënoi golin e fitores derisa Spanja mposhti Holandën 1-0 në finalen e Kampionatit botëror në Johannesburg në korrik ose Xavi, organizatori i lojës së Spanjës që ishte favorit të dominojë në ceremoninë në Zurich.

Por, Messi mori numrin më të madh të votave nga selektorët e kombëtareve, kapitenët dhe gazetarët e përzgjedhur. Messi është argjentinasi i parë që fitoi çmimin dy herë me radhë dhe futbollisti i tretë në përgjithësi së bashku me brazilianët Ronaldinho dhe Ronaldo.

Marta, fituese për herë të pestë
Për herë të pestë me radhë, braziliania Marta u zgjodh futbollistja më e mirë në botë. Sulmuesja 24 vjeçe mblodhi 38.20 për qind të votave dhe fitoi para gjermanes Birgit Prinz (15.18 %) dhe kosovares me pasaportë gjermane Fatmire Bajramaj (9.96 %).

Pavarësisht se nuk fitoi çmimin, Bajramaj kaloi një vit të shkëlqyeshëm dhe u shpreh e lumtur që ishte në mesin e kandidateve për futbollisten më të mirë në botë për vitin 2010.

“Nuk e kisha konsideruar mundësinë e nominimit, nuk kam besuar se do të ndodhë, andaj kjo përvojë është jashtëzakonisht e veçantë. Ky mund të jetë rast që ofrohet një herë në jetë dhe jam jashtëzakonisht e lumtur që jam këtu. 2010-ta është vit që nuk do ta harroj kurrë. Ishte viti kur klubi im fitoi Kampionatin gjerman dhe Ligën e Kampionëve, ndërsa unë personalisht kam bërë një hap të madh përpara”, tha ajo. Gjermania Silvia Neid mori çmimin e trajneres më të mirë.

Mourinho, trajneri më i mirë
Jose Mourinho ka fituar Topin e Artë për trajnerin më të mirë të vitit 2010. Çmimi, i pari në histori për trajnerët, i është dhënë strategut të Real Madridit, i cili në vitin 2010 me Interin fitoi Scudetton, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve. Mourinho u votua më i miri para selektorit të Spanjës, Vicente del Bosque dhe trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola.

Formacioni ideal i FIFA-s
Iker Casillas, Gerard Pique, Lucio, Carles Puyol, Xavi, Wesley Sneijder, Andres Iniesta, Cristiano Ronaldo, David Villa, Lionel Messi.

Altintop, goli më i bukur
Goli më i bukur për vitin 2010 u zgjodh ai i mesfushorit turk, Hamit Altintop, në ndeshjen kualifikuese për Euro 2012 kundër Kazakistanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›