Kryqi i Kuq, tendë për dhurime vullnetare tek parku “Rinia”
Një tendë e improvizuar në parkun “Rinia” ka qenë pika e takimit për të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut. Në kuadër të Ditës Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, Kryqi i Kuq Shqiptar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, organizuan një fushatë sensibilizuese. Angjelina Pulluqi, drejtoreshë e Kryqit të Kuq për Tiranën, tha se “kjo nismë ka 3 vjet që po zbatohet me qëllim sensibilizimin e banorëve për të dhuruar gjak”. Sipas saj, kjo nismë po zbatohet edhe në degët e tjera të Kryqit të Kuq dhe gjaku i grumbulluar në këto pika dërgohet në bankat e gjakut. Pulluqi tha se aktiviteti ka për qëllim sensibilizimin e popullatës dhe krijimin e mundësive më të mira për realizimin e kësaj nisme dhe kjo fushatë do vazhdojë për ditë me radhë deri më 30 qershor të këtij viti, për t'u shtrirë më pas edhe në sezone të tjera, me qëllim plotësimin e nevojave për gjak në çdo çast të personave në nevojë. Ndërsa koordinatorja e Kryqit të Kuq, për zbatimin e kësaj nisme, Dylbiana Halilaj, tha se qëllimi është të sensibilizohet opinioni publik "se për të dhuruar gjak rregullisht, nuk mjafton vetëm njëherë” dhe ky është apeli i bërë dje nga Kryqi i Kuq Shqiptar, me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut.