E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Po punojmë për uljen e vdekshmërisë foshnjore

Ministria e Shëndetësisë synon që mortaliteti infantil të ulet në 10 vdekje për 1000 lindje, ndërkohë që aktualisht ky tregues është 12.4 për 1000 lindje dhe mbulesa vaksinale kryhet mbi 98%. “Vlen të theksohet se aktualisht mbulimi me vaksina është më i lartë në zonat rurale. Nga viti në vit është rritur niveli i vaksinimit dhe është zgjeruar gama e tyre, ku vitin e ardhshëm në Kalendarin Kombëtar të Vaksinës do të shtohet edhe antigeni Hemgilus Influenca”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, në mbledhjen e Këshillit Rajonal të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar (IPPF), ku morën pjesë përfaqësues të 49 vendeve anëtare.

Duke theksuar se shëndeti i fëmijëve është objektivi parësor i politikave shëndetësore, Ndoka vuri në dukje se "Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-in, po zbaton programin e integruar të menaxhimit të sëmundshmërisë foshnjore, me të cilin ulja e mortalitetit do të llogaritet nën 10 vdekje për 1000 lindje".

“Të dhënat, - vijoi ai - flasin se kemi një ulje me rreth 30% në rastet e vdekshmërisë foshnjore nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, ndërkohë që vdekjet me sëmundje diarreike, janë ulur me 50%”.

Ministri Ndoka cilësoi ndër të tjera, se është fakt që vdekshmëria foshnjore në vendin tonë vitet e fundit ka shënuar ulje deri në ½ e nivelit që ishte më parë, por ende mbetet në shifra të larta në zona të veçanta, po të kemi parasysh se Shqipëria renditet në vendet me mortalitet të lartë në Evropë.

Vdekshmëria foshnjore mbetet një nga problemet kryesore të sektorit të shëndetësisë në Shqipëri. Vihet re një prirje e zvogëlimit të vdekshmërisë foshnjore (vdekjet e fëmijëve 0-1 vjeç) nga 41.5 vdekje për 1 mijë lindje në 1990, në 13 vdekje për 1 mijë lindje në 2007, megjithatë mbetet larg shifrave të vendeve të Bashkimit Evropian.

Në zonat verilindore, si Dibër, Malësi e Madhe, Mirditë vdekshmëria foshnjore është dy herë më e lartë. Por sipas MSH-së, vdekshmëri të lartë foshnjore kanë edhe disa rrethe të mëdha të vendit, si Tirana dhe Elbasani.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›