E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunim me Francën në fushën e shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, zhvilloi dje një takim pune me ambasadoren e Francës në Tiranë, Maryse Daviet, ku bisedoi për një marrëveshje të afërt bashkëpunimi me spitalet franceze.

Duke vlerësuar përvojën e bashkëpunimit midis dy vendeve, znj. Daviet theksoi se bashkëpunimi i afërt konsiston në eksperiencën shumë të mirë në fushën e specializimeve për mjekët shqiptarë. Këtu do të përfshihet edhe bashkëpunimi midis spitaleve rajonale të Korçës, Elbasanit dhe të Bajram Currit me spitalet në Francë. Ndërkohë që një ndihmë konkrete po i ofrohet edhe qendrës së transfuzionit të gjakut me asistencë teknike nëpërmjet mjekëve francezë.

Ministri Ndoka falënderoi ambasadoren franceze për bashkëpunimin dhe ndihmën e Francës, duke theksuar historinë e gjatë të këtij bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë.

Gjithashtu, një kontribut të veçantë Asistenca Publike e Parisit ka dhënë për realizimin e master-planit për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërtimi i spitalit të specialiteteve të ORL-së etj.

Në fund të vitit 2007, në kuadër të binjakëzimit të Spitalit Rajonal të Korçës me Spitalin Belford – Monpelie, janë përuruar dhe funksionojnë kabinetet e Celioskopisë në spitalin e Korçës dhe të Elbasanit. Ministri Ndoka propozoi lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy Ministrive të Shëndetësisë, si një hap drejt institucionalizimit dhe formalizimit të bashkëpunimit të deritanishëm. Ambasadorja shprehu mbështetjen e saj dhe besimin se kërkesa për bashkëpunim mes dy vendeve do të ketë një reagim pozitiv nga Ministria e Shëndetësisë në Francë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›