E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinikat private, zbulohen 500 aborte në 6 muaj

Gjashtë muajt e parë të vitit 2007 kanë shënuar rritje në numrit të aborteve në klinikat private. Kështu sipas të dhënave të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik pas një mbikëqyrjeje në gjashtë muajt e parë të vitit 2007, ka rezultuar se në këtë periudhë koho janë rregjistruar 500 aborte . Po sipas këtij raporti, del se nga dita në ditë rastet e aborteve po shtohen dhe ajo çfarë është më shqetësuese, se vajzat dhe gratë tashmë zgjedhin të kryejnë këtë akt në klinikat private si në kryeqytet, ashtu edhe ato në rrethe.

Raporti

Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë evidentojnë se aborti po kryhet në masë të madhe në klinikat private të vendit. Të vendosura diku në periferi të qytetit, gratë dhe vajzat e reja kryejnë abort, duke i mohuar ardhjen në jetë fëmijës së tyre të ardhshëm, megjithëse ky akt mbart me vete riskun për të mos u bërë më nënë apo edhe duke rrezikuar jetën e tyre. Ndërkohë që për të kryer abortin për këto vajza dhe gra nuk ka ndonjë dilemë të madhe. Sipas raportit të ISHP-së pjesa më e madhe e tyre zgjedhin klinikat private, atu ku privatësia dhe fshehtësia janë të shenjta. Pikërisht për këtë arsye, për herë të parë pas 10 vjetësh, Instituti i Shëndetit Publik po mbledh të dhëna për abortin edhe në klinikat private.

Sipas koordinatores së projektit të mbikëqyrjes së aborteve, Alba Merdani, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar u raportuan mbi 500 aborte, nga 14 klinika, 10 prej të cilave në Tiranë, por studimi i të dhënave do të vazhdojë edhe në rrethe.

Që prej qershorit të 2007-ës edhe për maternitetet e rretheve, përveç Mallakastrës, Kuçovës dhe Malësisë së Madhe, do të mblidhen të dhënat e aborteve, duke ruajtur anonimatin.

Masat

Në çdo qendër aborti apo drejtori në rrethe, do të ketë një inspektor të shëndetit riprodhues, që do të jetë personi i kontaktit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mbledhja e informacionit mbi abortet në shërbimet shëndetësore publike dhe private ka vijuar me trajnimin e personave përgjegjës për mbikëqyrjen e abortit në 36 rrethet e vendit.

Aktualisht, ngritja e sistemit të mbikëqyrjes gjendet në fazën e dytë të zbatimit të saj, ku po krijohet softëare-i për përpunimin e informacionit të ardhur nga rrethet e vendit. Tirana është përzgjedhur rrethi pilot dhe gjatë këtij vitit do të kryhet instalimi i softëare-it në të gjitha klinikat private, të cilat janë të licencuara për abort. Serveri do të vendoset në ISHP dhe do të bëjë përpunimin e informacionit në shkallë vendi. Sipas ISHP-së, raportimi i aborteve në rrethe gjatë periudhës qershor-tetor ka arritur në shifrën 57.6%, kurse për sektorin privat në Tiranë ka një raportim në nivelin e rreth 90%.

Abortet e raportuara nga institucionet publike në gjysmën e parë të vitit të kaluar numërohen në 5092, sipas sektorit të statistikës në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky dikaster, nga të dhënat që ka marrë nga maternitetet në vend dhe shtëpitë e lindjeve, konstaton se numri i aborteve gjatë 2007-ës, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2006 (5321 aborte). Në mënyrë decizive Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me mbështetjen e UNFPA-së, po përfundojnë ngritjen e sistemit të mbikëqyrjes së abortit në Shqipëri, në sektorin publik dhe privat.

Ngritja e këtij sistemi po realizohet falë punës dyvjeçare të një grupi pune, në përbërje të cilit janë specialistë të ISHP-së, Ministrisë së Shëndetësisë, INSTAT-it, UNFPA-së dhe mjekë obstetër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›