E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryqtrendafilat ne babelin kosovar

1.

Duhet të ketë qenë moment tejet emocional për Hashim Thaçin ndërsa merrte, para nëntë vjetësh, një ofertë që nuk mund ta refuzonte.

Sipas rrëfimit të tij në emisionin special të TV "Klan" para disa netësh, e duke treguar pjesën për konferencën e Rambouilletit, ai kishte kaluar mbi tri orë me sekretaren Albright, me ndërmjetësimin e zëdhënësit të saj, James Rubin, duke marrë një sërë koncesionesh që në fund arritën pajtimin e delegacionit kosovar, me nënshkrimin e pajtimit në parim, dhe pastaj nënshkrimit të plotë në Paris.

Rrëfimi i z. Thaçi në "Klan" qe aq i larguar nga e vërteta sa që nuk mund të kthehej në një moment që me siguri do t‘I interesonte opinionit publik, sepse përmbante në vete, pos elementeve të të kuptuarit të psikës së një momenti historik, edhe një dozë projekti kulturor. Atëbotë përfaqësuesi i përfaqësimit të UÇK-së në Konferencë (pasi kishte dhënë dorëheqje si kryetar i Delegacionit të Kosovës), ndërsa mbi një kompjuter sajonim me ambasadorin amerikan Hill dhe bashkëpunëtorët e tij një tekst kompromisi që kisha propozuar e që u tumirë nga i tërë delegacioni, rrinte në oborrin e Kështjellës duke biseduar me z. Rubin. Zëdhënësi i sekretares së Shtetit kishte një ofertë personale për të bërë, për t‘ia ndërruar mendjen përfaqësuesit të gueriles kosovare, i cili ende ishte kundër çfarëdo nënshkrimi. Dhe oferta përmbahej përafërsisht në fjalët: "E kam në Amerikë një mik që është në industrinë e filmit. Mund të bëj gjë për një film mbi ty dhe UÇK-në…".

Por, kultura, në një formë, ishte manifestuar që më herët, kur Hashim Thaçi jepte dorëheqje nga kryesimi i Delegacionit të Kosovës. Dukshëm i trazuar shpirtërisht dha një argumentim të gjatë se si në Rambouillet po shkelej mbi gjakun e dëshmorëve, se si lufta nuk do të na falte tradhtinë që po e bënim ne të tjerët, duke pranuar dokumentin e Rambouilletit dhe duke u çuar në këmbë për t‘u larguar nga salla na tërhoqi vërejtjen se "fëmijët tuaj do të mësojnë anglisht!"

2.

Hashim Thaçi dhe Umberto Eco, nga këndvështrime të ndryshme, e gjithsesi me përgatitje krejtësisht të ndryshme kulturore, megjithatë puqen, disi, në të kuptuarit e anglishtes së vitit 1999. Për Thaçin, anglishtja e vënë në kontekstin e fjalimit të tij anti-Rambouillet do të duhej të ishte pjesë e një konspiracioni botëror që nuk do ta shohë Kosovën e lirë, shqiptare. Për Econ ("Në kërkim të gjuhës së përkryer në kulturën evropiane", botoi "Dituria", Tiranë), anglishtja e ditëve tona është gjuha përçuese globale, e ndërtuar falë dominimit politik e ekonomik amerikan pas Luftës së Dytë Botërore, përshpejtimit të telekomunikacionit, dhe në fund, dominimit global të masmedias. M‘u asaj masmedie globale që, duke transmetuar pamjet nga masakrat e pushtetit serb në Kosovë, mobilizoi vendet e fuqishme të Perëndimit për të ndalur gjenocidin në Kosovë.

Por, anglishtja globale, sipas Ecos, nuk është zëvendësim për objektin e një kërkimi të gjatë të njerëzimit, gjegjësisht të civilizimit evropian, për kërkimin e gjuhës e cila do të thyente mallkimin e Babelit.

Sipas Dhiatës së Vjetër dhe interpretimeve të ndryshme për të, që nga libri i Gjenezës e tutje, Zoti kishte folur me Adamin dhe e folura e tij ishte me breshër, bubullima, erë e shi. Zoti "krijoi përsëri nga balta të gjitha kafshët e tokës e të gjithë shpendët e qiellit dhe ia çoi njeriut për të parë se si do t‘i quante ky i fundit; dhe ashtu si njeriu do ta quante një qenie të gjallë, ai do të ishte emri i saj". Adami, është Emërdhënësi, është ai që u jep gjallesave e gjërave emër (pos peshqve, por kjo është histori tjetër), ai e pagëzon edhe gruan Evë, që do të thotë "jetë" dhe kështu lindin njerëzimi e gjuha universale.

Kjo gjuhë do të thërrmohet kur njerëzit të bëhen aq kryeneçë sa të maten me Zotin "dhe të përpiqen për të ndërtuar një kullë, e cila do të arrinte deri në qiell. Zoti, për ta ndëshkuar kryelartësinë e tyre për t‘i penguar të ndërtojnë kullën vendos: "Të zbresim t‘ua ngatërrojmë gjuhën, në mënyrë që ata të mos e marrin vesh gjuhën e njëri-tjetrit…".

Kulla u quajt Babel. Prej këtij momenti, hebraishtja, greqishtja e vjetër e latinishtja do të përpiqen të ndërtojnë veten si gjuhë të shenjta, që duhet të bashkojnë popujt në një komunikim me Zotin. Por, paralel me kodifikimin zyrtar të gjuhëve të shenjta, kultura evropiane gjatë shekujve të quajtur të errët do të njihet me lindjen e "popullorishteve", gjuhëve që duke u bazuar në ato zyrtaret, të destinuara për të qenë të shenjta, do të bëhen gjuhë performancës së përditshme. Ky do të jetë Babeli i dytë për evropianët, në latinisht i quajtur "confusio linguarum", konfuzioni gjuhësor.

3.

"Edhe pse tani për tani nuk i kemi shfaqur emrat tonë, as se kur mblidhemi, gjithsesi do ta mësojmë patjetër mendimin e të gjithëve, në cilëndo gjuhë që të shprehet; dhe kushdo që do të na e dërgojë emrin e vet mund të bisedojë me ne drejtpërdrejtë, ose nëse ka ndonjë pengesë, me shkrim. Po ashtu edhe ngrehina jonë (qoftë edhe po ta kenë parë nga afër njëqind mijë vetë) do të jetë përjetësisht e paprekshme, e pashkatërrueshme dhe e fshehur nga sytë e botës…".

Manifesti i një Shërbimi Informativ?

Jo, por sikundër kishte ecur njerëzimi, edhe të kërkuarit e gjuhës së përkryer kishte analogjitë e veta. Në barasvlerën e një agjencie informative lind në 1612 lëvizja e Rozenkreutz, apo siç do të quhen Kryqtrëndafilat, një vëllazëri e fshehtë, e cila përpiqet që me një "gjuhë magjike" të kodeve të fshehta biblike të arrijë te gjuha e përkryer.

Për Econ, ky moment i insistimit se kriptografia është universalitet, d.m.th se fshehja me shenja është për të mirën e njerëzimit, shndërrohet në një anomali të kundërt me rrjedhën historike. Për më tepër, kur të kërkuarit e një gjuhe të përkryer është një akt thelbësisht demokratik, i cili përfshin të gjithë e për të mirën e të gjithëve.

Por, nja katërqind vjet më vonë pas Manifestit të Kryqtrëndafilasve , dhe shprehjes së tyre "Edhe pse tani për tani nuk i kemi shfaqur emrat tonë, as se kur mblidhemi, gjithsesi do ta mësojmë patjetër mendimin e të gjithëve, në cilëndo gjuhë që të shprehet", një obsesion i ngjashëm me fshehtësi më solli një analogji, e cila, ndonëse banale ka peshën e vet.

Në një debat që po zhvillohet në publik në Kosovë lidhur me shërbimin e zbulimit partiak të PDK-së, i quajtur SHIK, Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës theksoi se ky shërbim është legal, dhe se të gjithë dinë për të, madje edhe se "I kanë zyrat prapa hotelit ‘Grand‘".

Dy deduksione gjuhësore janë të mundura. I pari është se ky shërbim spiunimi partiak (me tërë strukturën njerëzore e të teknikës) është legal sepse "të gjithë dinë për të dhe zyrat i ka prapa ‘hotelit Grand‘", që do të thotë se çdo organizatë mund fitojë legalitetin me vet faktin se të gjithë do të dinë për të dhe mundësisht t‘i ketë zyrat diku afër "Grand"-it. Ky deduksion i parë nuk mund ta kalojë testin gjuhësor, sepse gjendja e legalitetit nuk fitohet nëpërmjet të të njohurit të ekzistencës nga të gjithë (çfarëdo që të jetë "të gjithë") e as nga afërsia e hotelit "Grand" në vendndodhjen e zyrës.

Deduksioni i dytë është se për kryetarin e Kuvendit, i cili do të duhej të ishte luftëtari më i madh i procedurës demokratike, ekziston një kod tjetër gjuhësor. Definicioni i legalitetit për të mund të gjendet brenda një kodi të fshehtë gjuhësor, i njohur vetëm për vëllazërinë që e përbënë sikur me Kryqtrëndafilasit.

4.

Legaliteti duket se nuk është ana e fortë linguistike e pushtetit në Kosovë. Një definicion tjetër të ri të tij e solli më herët edhe zëvendëskryeministri në rastin e kryetarit të Skënderajt. Kur ky u dërgua në burg, për shkak të sulmit ndaj gjykatësit, e tërë procedura u vendos në dy rrafshe gjuhësore. Për institucionet ndërkombëtare, të cilat lëshuan komunikatën për vuajtjen e dënimit për kryetarin aktual të Komunës së Skënderajt, ky është ekzekutim i vendimit gjyqësor, pra sundim i ligjit. Për zëvendëskryeministrin e vendit, i cili me siguri ishte i brengosur me reperkusionet e sigurisë që sjell dërgimi i një ish-komandanti në burg, e tërë ngjarja u reduktua në shkuarjen e kryetarit të Skënderajt për vuajtje burgu, duke e quajtur këtë "akt burrërie".

Bashkëjetesa e këtyre dy sistemeve gjuhësore, njëri i shtetit të së drejtës euro-perëndimor (gjermanisht; Rechtstadt) dhe tjetri i epikës fisnore-kanunore nuk ka si të mos jetë më simbolike për Babelin kosovar, bashkëjetesën mes sistemeve administrative ndërkombëtare në Kosovë (UNMIK, KFOR, EULEX) dhe sistemit administrativ-politik kosovar. Por, kjo bashkëjetesë ka sistem të ndryshëm vlerash për shqiptarët, varësisht prej gjuhës që flasin.

Kur të marrim rastin e Skënderajt, zyrtarët shqiptarë flasin me interlokutorët e tyre në anglisht, atëherë kjo është një dëshmi e sundimit të ligjit për të gjithë në Kosovë. Kur flasin me interlokutorët e tyre shqiptarë, atëherë shkuarja e kryetarit të komunës në burg është akt burrërie.

Shikuar nga ky kontekst, nga të kërkuarit e gjuhës së përkryer evropiane, zhvillimi i nëntë vjetëve të kaluara në ndërtimin e shtetit të Kosovës ka qenë, në fakt, të kërkuarit e një gjuhe të barasvlefshme mes sistemit administrativ ndërkombëtar dhe administrimit kosovar. Ky kërkim ende nuk ka rezultuar me një rezultat të kënaqshëm.

5.

Evropa, sugjeron Eco, po ballafaqohet me eventualitetin e një vendimi politik apo jo për atë që ai quan GJNN, Gjuhë Ndërkombëtare Ndihmëse. Në fakt, që nga Rilindja, Evropa ballafaqohet me këtë fenomen. Tregtarët e Panairit të Frankfurtit kishin nevojë për një gjuhë që do t‘u lehtësonte këmbimin e mallrave dhe parave. Alvaro Nunez Cabeza de Vaca, më 1527, përshkruante se si kishte zbuluar një gjuhë të vetën shenjash për të komunikuar me banorët e hershëm të Amerikës Latine. Por, në një Evropë të bashkuar, duke u pozicionuar si pol i rëndësishëm mes SHBA-ve dhe Kinës e Indisë, Evropa, sugjeron Eco, do të ballafaqohet me vendimin e unifikimit gjuhësor, por jo duke imponuar një gjuhë të njërit prej popujve, siç është gjendja tani.

Ndryshimet gjuhësore pasojnë apo u paraprijnë ngjarjeve. Andaj me kujdes do dëgjuar gjuhën e pushtetit, e cila ose reflekton të kaluarën ose i paraprinë së ardhmes.

Ndërsa dëgjoja shpjegimet e Hashim Thaçit kisha shënuar tashmë një citat të Ecos:

"Hobbes te Leviatani përmend që shpërdorimet e gjuhës u përgjigjen po aq shpërdorimeve të tjera".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›