E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet shtëpia e Hashim Thaçit

Disa persona të armatosur kanë tentuar të hyjnë në shtëpinë e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Por i gjithë aksioni kriminal ka përfunduar me një të plagosur nga ana e sulmuesve. Ngjarja ka ndodhur natën e së premtes, në orën 23:15. Personat e armatosur ishin përpjekur të hynin në tarracën e shtëpisë së Kryeministrit. Shtëpia e kreut të qeverisë së Kosovës gjendet në lagjen "Arbëria", ku ndodhen dhe një pjesë e mirë e ambasadave. Trupat e sigurimit të shtëpisë kanë parë personat nëpërmjet kamerave të fshehta dhe më pas kanë reaguar. Në komunikatën e policisë thuhet se "pas paralajmërimit nga ana e sigurimit, puna ka shkuar deri te shkëmbimi me armë zjarri, ndërsa pas kësaj sulmuesit janë larguar në drejtim të panjohur." Po sipas policisë, njëri nga sulmuesit ka tentuar të hyjë brenda në shtëpi. Një skenar i ngjashëm me atë të një filmi, pasi shtëpia e Kryeministrit është më shumë se e mbikëqyrur. Ky person është plagosur dhe gjurmët e gjakut kanë mbetur në tarracën e shtëpisë. Personi i paidentifikuar më pas është larguar dhe gjurmët e gjakut kanë rënë kudo.

Kryeministri jashtë

Në kohën që ka ndodhur sulmi, Kryeministri i Kosovës nuk ka qenë brenda shtëpisë së tij. Atje ishin vetëm gruaja dhe djali. Që të dy kanë shpëtuar pa asnjë lloj dëmi. Kryeministri i Kosovës ndodhej për vizitë në një vend fqinj. Ai është kthyer gjatë natës në shtëpi. Por sipas disa informatave, Kryeministri është parë gjatë së premtes në darkë, në një kafe të kryeqytetit me një nga këshilltarët e tij dhe një personazh të njohur të mediave në Kosovë.

Dyshimet

Megjithëse i plagosur, personi që ka tentuar të hyjë në shtëpinë e Thaçit ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes. Nuk dihet se cili ka qenë skenari, por sulmuesi ka ecur nëpër rrugët e lagjes "Arbëria". Në këtë lagje që shtrihet në faqe të kodrës, shtëpitë janë një mbi një. Më pas mendohet se ai ka hipur në një makinë, ku dikush e ka pritur dhe është larguar. Rojet e sigurimit nuk kanë arritur ta identifikojnë personin e plagosur dhe as ta ndalojnë atë. Policia ka këqyrur vendin e ngjarjes, në të cilin ka gjetur shumë gjurmë gjaku, si dhe gëzhoja fishekësh. Zëdhënësi i qeverisë, Hajredin Kuqi, nuk e drejtoi gishtin tek askush në lidhje me incidentin, por la të kuptohej se ka njerëz të cilët ditët e fundit kanë bërë thirrje dhe deklarata destabilizuese. Policia tha se nuk dihen motivet e sulmit. "Fakti që dikush ka dashur ta lëndojë Kryeministrin dhe familjen e tij, për çfarëdo motivi, nuk është vetëm veprim kriminal që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjeve, qoftë padurimin apo urrejtjen politike", tha zëdhënësi i qeverisë, Hajredin Kuqi në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp.

Rriten masat e sigurisë

Si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar shtimin e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët e qeverisë dhe bartësit e institucioneve të lira dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. "Kjo ngjarje është shumë serioze dhe dëshmon se ende ka njerëz të cilët nuk e duan shtetin tonë të ri, ndërtimin e një shoqërie të lirë moderne e demokratike, në të cilën sundon rendi dhe ligji. Por askush të mos të ketë iluzion se ne do të nënshtrohemi përballë kërcimeve dhe përpjekjeve të tilla kriminale", tha Kuqi. "Në Kosovë nuk ka vend për dhunë dhe nxitje të dhunës. Ata që shkaktojnë dhunë do të përgjigjen para ligjit. Qeveria e Kosovës nuk do të lëkundet nga rruga e saj e drejtë. Do të punojë me përgjegjësi që të përmbushë misionin e saj për çfarë është zgjedhur nga populli, për qeverisje të mirë, për sundimin e rendit dhe ligjit, vazhdimin e pa kompromis të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kudo dhe kurdo paraqitet ai", vijoi ai. Sulmin në shtëpinë e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, e kanë dënuar ashpër krerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Kryeministri gjatë paradites ka marrë telefonata nga autoritetet e SHBA-ve, të BE-së, NATO-s, si dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe nga shumë kryetarë të partive politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, si Edi Rama, Ilir Meta, Ali Ahmeti, Bardhyl Mahmuti, Bexhet Pacolli, Nexhat Daci, personalitete të shumta të jetës politike dhe publike të Kosovës etj.

Deklarata

Vetë Kryeministri i Kosovës ka bërë një deklaratë publike për ngjarjet, dje në orët e pasdites, kur është kthyer në Prishtinë dhe është informuar me hollësi mbi ngjarjen. Pasi ka falënderuar të gjithë ata që kanë e mbështetur me mesazhe solidariteti, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se "askush nuk do të ketë fuqi të cenojë pavarësinë, rendin demokratik, sundimin e ligjit, lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, kërkoj prej të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të qetë të japin kontributin e tyre për fuqizimin e shtetit tonë të ri - ta ruajmë unitetin qytetar dhe politik. Vetëm të bashkuar mund të kemi sukses. Kërkoj prej të gjitha forcave politike që bashkërisht të fokusohemi në prioritetet tona shtetformuese. Brenda pak ditësh, vendi ynë do të bëhet edhe me Kushtetutë. Vlerat themelore të këtij akti më të lartë juridik janë liria, siguria dhe prona e qytetarëve. Askush nuk do të mund t‘i cenojë dhe kërcënojë këto vlera. Askush dhe as ky sulm nuk do të mund të ndalë punën tonë që Kosova të bëhet një shtet krenar brenda Bashkësisë Evropiane dhe NATO-s".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›