E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të "arkivohen" aksidentet rrugore të vitit 2007?

Në çelje të sezonit turistik 2008, me të drejtë ministri i Brendshëm, zoti Bujar Nishani, mblodhi në një takim të gjithë drejtuesit e Policisë Rrugore, për të prezantuar disa objektiva për aktivitetin e këtij shërbimi në funksion të përmirësimit të cilësisë së ndihmës ndaj komunitetit (përfshirë edhe kontingjentin e pushuesve gjatë sezonit), rritjen e përgjegjshmërisë në kërkesën për zbatimin e ligjit me synim ndryshimin e imazhit të publikut për sjelljen e qëndrimet e policisë ndaj tyre.

Natyrisht takime të tilla vlerësohen të frytshme e me ndikim pozitiv në ecurinë e punës, pasi rrisin motivimin e ndjenjën e vlerësimit tek efektivat, por ajo që na çuditi, kur u njohëm me problematikën e trajtuar në takim, ishte kërkesa ose më mirë dëshira e zotit ministër për "Arkivimin" e shifrave alarmante të pasojave në jetën e shtetasve, dëmet e shëndetit e të pronës nga aksidentet rrugore për vitin 2007.

Në pamje të parë kjo kërkesë tingëllon normale për lexuesit dhe me të drejtë dikush mund të pyesë se ku qëndron e keqja në këtë rast.

Shqetësimi ynë si specialistë e ish-drejtues të shërbimit të Policisë Rrugore lidhet me mentalitetin që vazhdon të jetë konstant te të gjithë titullarët e këtij dikasteri, por edhe te titullarët e Policisë së Shtetit, të cilët me naivitet shpesh e "ngarkojnë" këtë shërbim me përgjegjësinë për situatën e sigurisë rrugore, që kurrsesi nuk mund të rëndojë vetëm mbi të.

Është bërë normale që pas çdo ngjarjeje aksidentale në rrugë, të gjitha shigjetat drejtohen nga Policia Rrugore, duke ushtruar mbi ta një trysni të madhe, a thua se meqë ajo shkon e para dhe kryen veprimet në aksidente është dhe përgjegjësja e vetme, pavarësisht shkaqeve reale për ndodhjen e tyre. Duke mos pasur dyshim se ministri i Brendshëm e di mirë këtë fakt, lind me të drejtë shqetësimi; mos vallë shihet më e udhës të mbahet nën trysni kjo strukturë për të devijuar fokusimin, apo më keq akoma për të fshehur përmbushjen e detyrimeve për disa nga faktorët kritikë të sigurisë rrugore që lidhen me:

* problematikën për mungesat serioze në politikat e strategjitë e qeverisë për sigurinë në transportin rrugor,

* mungesën e standardeve të sigurisë dhe gjendjen e mjerë të sinjalistikës rrugore në shumicën e akseve rrugore kombëtare e lokale,

* gjendjen e patolerueshme në përmbushjen e detyrimeve ligjore për edukimin rrugor të gjithë shoqërisë për të mundësuar një mentalitet e qëndrim ndryshe në respekt të normave të sjelljes në rrugë,

* reformat e cunguara për t‘i paraprirë motorizimit të shpejtë, ndërhyrjet e cunguara e ndryshimet e pjesshme dhe jo thelbësore në legjislacionin rrugor, rezistencën për futjen dhe përdorimin e teknologjive të reja elektronike për kontrollin e trafikut dhe për verifikimin e shkeljeve në rrugë etj.

Mund të rendisim faktorë e shqetësime pa fund, një pjesë e madhe e të cilave nuk mund të ezaurohen e zgjidhen vetëm nga ana e ministrit të Brendshëm, por që gjithsesi nuk e shkarkojnë atë nga përgjegjësia e detyrimi për të ngritur zërin fort dhe për të kërkuar e ofruar zgjidhje para se të marrë përsipër të arkivojë shifrat e aksidenteve, arkivim që me siguri do të rezultojë i dështuar.

A nuk do të ishte më mirë që zoti ministër i Brendshëm t‘i sugjerojë Kryeministrit të vendit që të mbledhë me urgjencë Komitetin Ndërministror të Sigurisë Rrugore (për hir të së vërtetës është mbledhur vetëm një herë gjatë kësaj qeverisje) për një analizë të thellë, për të përcaktuar prioritete e masa konkrete, për të nxjerrë nga letargjia dhe për të shkundur nga indiferenca ekstreme gjithë aktorët në fushën e sigurisë rrugore në të dyja nivelet kombëtare e lokale?

A nuk do të ishte më mirë që zoti ministër t‘i kërkojë qeverisë përmbushjen e detyrimeve ligjore të përcaktuara në nenin 203 të Kodit Rrugor për akordimin e pjesës prej 60% të fondeve që krijon Policia Rrugore nga arkëtimi i gjobave (prej vitit 2004 nuk është dhënë asnjë fond në zbatim të këtij detyrimi ligjor) në funksion të modernizimit dhe përafrimit të standardeve të saj me ato të policive të vendeve të BE?

A nuk do të ishte më mirë që inspektimi në terren nga zëvendësministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për masat në kuadrin e sezonit turistik të mos mbetej në kuadrin e një turi mediatik fjalësh e porosish që tingëllojnë bajate kur nuk shoqërohen me akordimin e instrumenteve shtesë që stimulojnë efektivat operues në aktivitetin e kontrollit në rrugë dhe forcojnë logjistikën e shërbimit me aparatura kontrolli, automjete e motomjete për të qenë më autoritarë me ligjin e më afër komunitetit?

A nuk do të ishte mirë që ministri i Brendshëm t‘i kërkonte qeverisë zgjidhjen përfundimtare të problemit "të pastrimit" të ambienteve e pikave të bllokimit nga automjetet e bllokuara nga policia, të cilat vazhdojnë të jenë një ngërç që pengon seriozisht procesin e kontrollit për të evidentuar e hequr nga qarkullimi të gjitha mjetet motorike që janë në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në Kodin Rrugor?

A nuk do të ishte mirë që shërbimin e Policisë Rrugore të konsideruar dhe që në fakt është pasqyra e Policisë së Shtetit ta çlironi nga paaftësia e militantizmi që e kanë mbërthyer, por edhe nga barra e peshës së korrupsionit e abuzimit me të cilën e identifikon jo rrallë publiku dhe përdoruesit e automjeteve?

Drejtues të policisë janë shprehur se Kryeministri i vendit u tregua i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë të Policisë së Shtetit dhe asaj Rrugore në funksion të përmbushjes sa më mirë të detyrës dhe kjo është mjaft pozitive. Madje qeveria ka akorduar këtë vit një fond të konsiderueshëm për këtë qëllim. Por fatkeqësisht jemi në dijeni se deri tani kanë dështuar tenderë, për shkak të mangësive në specifikime teknike, çka tregon se drejtuesit e Policisë Rrugore nuk janë të qartë për kërkesat që bëjnë dhe për produktin që duan të blejnë.

A nuk e ka konstatuar akoma ministri i Brendshëm mungesën e prioriteteve dhe diletantizmin në menaxhimin e drejtimin e këtij shërbimi?

Do ta mirëkuptonim dëshirën për përmbysjen e kësaj situate nëse angazhimi i strukturave përgjegjëse do të fokusohej drejt vënies në rrugën e zgjidhjes së disa prej shqetësimeve të mësipërme, por tabloja aktuale e aksidentalitetit në rrugë dhe pasojat e tyre fatkeqësisht janë ende shumë larg për të na bërë optimistë në përmbushjen e dëshirës sonë të përbashkët për "të arkivuar" realisht treguesit alarmantë të viktimave në rrugë gjatë vitit 2007.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›