E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapitali social, aset dhe instrument i zhvillimit komunitar

Në dy dekadat e fundit, roli i kapitalit social në shoqërinë moderne vazhdon të jetë objekt i kërkimeve, debateve dhe diskutimeve teorike. Por pavarësisht prej debateve të natyrshme për një koncept relativisht të ri, kapitali social po operacionalizohet gjithnjë e më shumë si strategji efikase e zhvillimit social. Definicionet dhe këndvështrimet e kapitalit social janë nga më të larmishmet por, në një kuptim më të përgjithshëm, ai përkufizohet si kapaciteti dhe aftësia e grupeve sociale të diversifikuara për të kooperuar dhe punuar së bashku në zgjidhjen e problemeve dhe prodhimin e të mirave të përbashkëta. Nëse kapitali financiar depozitohet në banka, kapitali social është një "pasuri" që investohet për t‘u shfaqur në marrëdhëniet, ndërveprimin dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm socialë. Eksperienca tregon se shoqëritë/komunitetet me kapital të pasur shoqëror karakterizohen nga kohezioni social, rritja e shpejtë ekonomike, besueshmëria e institucioneve dhe zhvillimi i qëndrueshëm social. Kapitali social përbën një instrument të rëndësishëm për nxitjen e evolucionit shoqëror të cilin Durkheim e shihte si një lëvizje nga solidariteti mekanik i shoqërive fisnore, drejt solidaritetit organik karakteristik për shoqëritë industriale. Robert Putnam, studiuesi prestigjioz i konceptit dhe funksioneve praktike të kapitalit social, në punimet e tij serioze ka evidentuar rolin dhe impaktet pozitive të aplikimit të kapitalit social në zhvillimin e shoqërisë. Në kohën e sotme, konceptimi dhe aplikimi në praktikë i kapitalit social, si aset dhe instrument i zhvillimit komunitar, merr një rëndësi të veçantë nisur nga dy perspektiva: në këndvështrimin e rolit dhe dimensioneve të "wellfare state", në kushtet e ekonomisë së tregut dhe në perspektivën e dinamikave të reja sociale të një shoqërie që gjithnjë e më shumë po modelohet si shoqëri individualiste. Në kontekstin e reformës për modernizimin e politikave të mirëqenies sociale, "teknologjia" e kapitali social vjen si një zgjidhje optimale dhe rrugëkalim i natyrshëm nga shteti social drejt shoqërisë sociale. Kjo qasje bëhet akoma më imperative në kushtet kur zgjerimi i nevojave sociale, përmirësimi i cilësisë dhe rritja e aksesit në shërbimet e përkujdesit për njerëzit në nevojë, kërkojnë angazhime gjithnjë e më të mëdha financiare, struktura dhe burime të reja për menaxhimin, koordinimin dhe administrimin e sistemit të mbrojtjes sociale. Në ndihmë të njerëzve të margjinalizuar, të braktisur dhe të sëmurë vepron një armatë e tërë e punonjësve socialë, mjekëve, infermierëve, edukatorëve etj. Burokracia është kontradikta më e madhe e shtetit social -thekson politologu Ralf Dahrendorf. Si pjesë e mekanizmit të shtetit dhe administratës publike, nëpunësit e sferës së përkujdesit social janë të "dënuar" të mbushin evidenca, dosje dhe formularë, duke harruar shpesh që përtej dhe prapa tyre të shikojnë njeriun real dhe nevojat e tij komplekse. Makthi veberian mbi rrezikun e "kafazit robërues të burokracisë" mbetet gjithnjë aktual. Edhe shtetet me potenciale të fuqishme dhe sisteme moderne të mbrojtjes sociale, do ta kishin të pamundur të përballonin fluksin në rritje të nevojave sociale, pa rolin mbështetës të rrjeteve informale të sigurisë sociale. Familjet, fqinjët, farefisi dhe lidhjet ndërpersonale funksionojnë si "network" i solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellët materiale dhe morale për kapërcimin e vështirësive, krizave dhe fatkeqësive të ndryshme. Por këto burime marrin vlerë të shumëfishuar dhe kthehen në instrumente të zhvillimit social komunitar, kur strukturohen dhe funksionojnë si elemente të kapitalit social. Janë pikërisht këto lidhje ndërpersonale, bashkëveprimi dhe kooperimi horizontal ndërmjet individëve, grupeve, shoqatave dhe organizatave që japin "karburantin" e nevojshëm për funksionimin e fabrikës sociale.

Nevoja për aplikimin e strategjive të zhvillimit mbi bazën e funksionimit të kapitalit social merr një theks të veçantë në kontekstin e dinamikave të reja të zhvillimit social, kur kahja e individualizmit po forcohet gjithnjë e më shumë si mentalitet, stil dhe mënyrë jetese, duke sjellë si pasojë izolimin social dhe mbylljen e individit brenda guaskës së interesave të ngushta personale apo grupore. Moderniteti, si proces zhvillimi dhe urbanizimi, çan përpara duke rrafshuar lidhjet dhe vlerat e shoqërisë së mbyllur tradicionale. Lëvizja demografike dhe diversifikimi i interesave, ndryshimi i statusit social dhe material, ka bërë që fqinjët e dikurshëm të jenë më të ftohtë, banorët e komuniteteve urbane të jenë më të largët dhe anonimë. Mobiliteti social, teknologjia e informacionit, interneti, celulari etj. kanë reduktuar kontaktet direkte ndërmjet të njohurve dhe miqve. I obseduar nga nevoja dhe lakmia për më shumë para dhe të mira materiale, njeriu i shoqërisë së sotme priret drejt individualizmit dhe dobësimit të lidhjeve me jetën në komunitet. Në kontekstin e realiteteve të reja dhe ndryshimeve në strukturën sociale të shoqërisë, kapitali social konsiderohet si një strategji efikase për forcimin e kohezionit social brenda diversitetit dhe kalimin nga mentalitetit UNE në mentalitetin NE. Mobilizimi i burimeve të komunitetit dhe përfshirja e sa më shumë aktorëve potencialë në rrjetet e bashkëpunimit dhe kooperimit të ndërsjellët, bëhet akoma më imediate në kushtet e decentralizimit, kur pushteti vendor ende nuk zotëron burimet, kapacitetet dhe fondet e nevojshme për mbulimin e të gjithë spektrit të nevojave të zhvillimit komunitar. Është pikërisht kapitali social, i cili lehtëson ndërveprimin reciprok ndërmjet strukturave të shtetit, biznesit dhe "sektorit të tretë", duke siguruar burime ekonomiko-financiare, mjete, oportunitete dhe pjesëmarrje të të gjithë aktorëve në ofrimin e shërbimeve sociale, zhvillimin e komunitetit dhe rritjen e efektivitetit të programeve të zhvillimit social. Nxitja e pjesëmarrjes së qytetarëve nëpërmjet mekanizmave "bottom up" mund të eksperimentohet në shpërndarjen e blok granteve të reduktimit të varfërisë, në menaxhimin e programeve të zhvillimit komunitar, implementimin e projekteve në sferën e shërbimeve sociale dhe punëve në komunitet. Aplikimi i strategjive të zhvillimit të bazuara në burimet e kapitalit social çel një perspektivë të re për kalimin nga shteti social tradicional, drejt një sistemi miks të "wellfare comunity", të bazuar në aktivizimin e parimeve të kooperimit, reciprocitetit dhe solidaritetit social.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›