Meta: Situata politike, nëse vijon, ndikim në statusin kandidat
Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi nga Sarajeva se situata politike duhet të gjejë zgjidhje sa më parë. Ai tha se duhet t’i largohemi retorikës dhe të afrohemi tek zgjidhjet që ofron Kushtetuta. “Duhet t’i largohemi retorikës që nuk afron drejt zgjidhjeve, të cilat nuk mungojnë dhe janë të afërta mes transparencës dhe Kushtetutës. Nëse do të vazhdonte, kjo situatë do të kishte ndikime aspak të këndshme për sa i takon statusit të vendit kandidat. Ky do të ishte një ndëshkim i pamerituar për të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe një zhgënjim i pamerituar për BE-në dhe PE-në, që kanë qenë dhe janë të angazhuara për ta mbështetur Shqipërinë”, tha Meta. Për sa i përket samitit, Meta tha se “ky takim përforcoi edhe një herë tjetër vendosmërinë e BE-së për t’u zgjeruar drejt Ballkanit Perëndimor”.