E Diel, 1 Nëntor 2026

Ksavi Guardiola do te hyje ne histori Murinjo jo

Barcelona

Mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez, deklaroi se trajneri i Realit të Madridit, Zhoze Murinjo, i cili kërkon të krijojë vetëm polemika, shërben si katalizator që katalanët të luajnë edhe më mirë. Tekniku luzitan njihet si një personazh që gjatë gjithë kohës kërkon të jetë në qendër të vëmendjes, duke bërë deklarata të forta në media, ku i akuzon të gjithë (në rastin më të fundit ai është pozicionuar kundër drejtorit të përgjithshëm “merengue”, Valdano). Ksavi ka “zbuluar” se sulmet verbale të Murinjos, ashtu si edhe prezenca e tij në krye të stolit të Realit, janë një motivim për skuadrën “blaugrana”. Në një intervistë për “GQ”, kandidati kryesor për “Topin e Artë FIFA 2010” deklaroi: “Mua më intereson vetëm loja. E respektoj shumë Zhoze Murinjon, por mund të them se momentalisht ai është shumë i nevojshëm për Barçën, pasi ai na motivon edhe më shumë që të japim maksimumin”. Më tej, mesfushori spanjoll shtoi se rezultatet e arritura nga Pep Guardiola do të vlerësohen si më të larta në historinë e futbollit, në krahasim me ato të portugezit. “Interi fitoi Champions-in, por meritat i mori klubi. Murinjo nuk do të kujtohet si një trajner që solli diçka të re, ndërsa Guardiola po”. Në fund, Ksavi vlerësoi Lionel Mesin: “Për mua Leo është absolutisht më i miri. Ai është një imazh i shkëlqyer për futbollin, i rregullt, i thjeshtë, modest dhe jashtëzakonisht cilësor. Mesi më ndihmon që ta bëj edhe më mirë punën time”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›