Ksera : Qeveria e PD-së ka zgjidhur kërkesat e minoritarëve
Bojkoti i opozitës në Kuvend ka bllokuar një sërë reformash, siç është edhe një ndër kërkesat më të përsëritura nga organizatat ndërkombëtare, amendimi i Kodit të Punës.
Bojkoti i opozitës në Kuvend ka bllokuar një sërë reformash, siç është edhe një ndër kërkesat më të përsëritura nga organizatat ndërkombëtare, amendimi i Kodit të Punës. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera, sqaron për standard ndryshimet që vijnë me anë të ligjit kundër diskriminimit, Kodin e Punës, si edhe ato që janë parashikuar për ndihmën ekonomike. Sipas tij, personat me ndihmë ekonomike do të përfitojnë edhe ndihmë në ushqime dhe për këtë po përgatitet harta e familjeve. Strukturat tona po punojnë intensivisht, në bashkëpunim të ngushtë edhe me strukturat vendore, për të identifikuar jo thjesht numrin e familjeve në nevojë, por edhe se cilat janë ato për çdo fshat, të cilësdo komune apo lagjeje të çdo bashkie, duke identifikuar edhe nevojat reale të secilës prej tyre. Jemi në fund të kësaj sipërmarrjeje dhe, pas kësaj, do të paraqesim edhe propozimet tona për numrin e familjeve përfituese të paketës ushqimore, nivelin e këtij përfitimi dhe mënyrën e realizimit, - thotë Ksera. Ndërkaq, për sa i përket regjistrimit të popullsisë në baza etnike dhe fetare, ai deklaron se kjo është një shenjë e mbështetjes për minoritetin nga qeveria aktuale. Përpara pak ditësh kaloi në Kuvend ligji kundër diskriminimit, i mbështetur fuqimisht nga qeveria, por edhe nga ju personalisht. Çfarë ndryshimesh do të sjellë ky ligj për ato grupe të margjinalizuara që vuajnë diskriminimin dhe mbi të gjitha si do të zbatohet në praktikë ligji për të mbrojtur çdo lloj diskriminimi në mjediset e punës dhe në jetën publike? Ligji Për mbrojtjen nga diskriminimi është shumë i rëndësishëm dhe vjen në kohën e duhur, si përmbushje jo vetëm e detyrimeve që vendi ka në kuadër të integrimit për garantimin e të drejtave të njeriut për të gjitha grupet dhe individët, por edhe si një kërkesë e brendshme për kompletimin e kuadrit ligjor në fushën e të drejtave të njeriut dhe të mosdiskriminimit. Ky ligj u përshëndet nga unë për faktin se ka në objekt të tij mbrojtjen e kategorive më vulnerabël të shoqërisë nga të gjitha llojet e diskriminimit, kategori që trajtohen kryesisht me politika specifike mbrojtëse dhe integruese nga ministria që unë drejtoj, por edhe për faktin se unë vetë i përkas një grupimi specifik, siç është minoriteti etnik grek në Shqipëri. Vlerësoj se me miratimin e ligjit Për mbrojtjen nga diskriminimi është zgjeruar mbrojtja sociale e shtetit dhe ligji u jep përgjigje të qartë të gjithë atyre që vazhdojnë të qëndrojnë skeptikë ndaj politikave të kësaj qeverie. Meqenëse prioritetet e qeverisë shqiptare u referohen edhe minoriteteve, ky projektligj përforcon hapësirat demokratike të zhvillimit në një ambient të sigurt të zbatimit të Konventës Kuadër për Minoritetet që, siç dihet, është dokument themelor nga i cili rrjedhin edhe detyrime konkrete. Ky projektligj është një dëshmi tjetër e vullnetit të qeverisë shqiptare për përmbushjen korrekte të detyrimeve dhe ruajtjen e të gjitha vlerave që mbartin minoritetet. Në këtë ligj, veç të tjerash, parashikohet mosdiskriminimi në mjediset shkollore të personave për arsye fetare. A përbën kjo një konfirmim të lejimit të shamive dhe kryqeve në shkolla (në aspektin e përdorimit individual të shamive dhe kryqeve dhe jo në atë të vendosjes në institucion)? Në Shqipëri arsimi është laik dhe kjo gjë nuk ndryshon. Po ashtu, e drejta e besimit mbrohet me Kushtetutë. Kushdo është i lirë të besojë e të shprehë besimin e tij në një fe apo religjion të caktuar me vullnetin e tij të lirë. Në këtë pikëpamje, ligji nuk sjell ndonjë gjë të re. Deri tani, problemi i mbajtjes të veshjes apo simboleve fetare nga nxënësit, por edhe mësuesit, nuk ka qenë një çështje ligjore apo institucionale, por më shumë çështje e një debati të hapur publik pro dhe kundër... Kryeministri kishte deklaruar paraprakisht se do të legalizohen martesat ndërmjet personave të së njëjtës gjini. A po hartohet drafti i nevojshëm për amendime të Kodit të Familjes dhe nëse po, çfarë ndryshimesh do të ketë? Ligji Për mbrojtjen nga diskriminimi, për herë të parë bën një renditje të plotë të grupeve që merr përsipër të mbrojë nga diskriminimi në marrëdhëniet me institucionet, marrëdhëniet e punës etj. Në nenin 1 të ligjit përcaktohet edhe objekti i tij, në të cilin përcaktohet se ligji rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor dhe, për herë të parë, parashikohet edhe orientimi seksual. Kjo do të thotë që tashmë, edhe ligjërisht, personat me orientim seksual të ndryshëm nuk do të diskriminohen thjesht dhe vetëm për këtë arsye. Ligji nuk ka ndonjë parashikim për lejimin e martesave mes personave të së njëjtës gjini dhe nuk jam në dijeni të ketë ndonjë iniciativë të tillë ligjore, qoftë kjo institucionale apo nga shoqëria civile. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka bërë një sërë kërkesash për amendim të Kodit të Punës për ta sjellë më afër realitetit. Për shembull, heqjen e të shtunës dhe të dielës si ditë taksative pushimi, siç e parashikon tani Kodi i Punës dhe vendosjen e dy ditëve në javë të papërcaktuara. Cilat janë ndryshimet që po rishikohen për Kodin e Punës dhe kur do të jenë ato gati? Në kuadër të procesit të rishikimit të Kodit të Punës, para disa kohësh, ministria ngriti një grup pune, në përbërje të të cilit kishte, përveç përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse edhe përfaqësues të partnerëve sociale, ekspertë dhe profesorë të së drejtës së punës. Grupi i punës tashmë ka përgatitur një draft-ligj me ndryshimet përkatëse, duke e sjellë Kodin e Punës në kohë, duke iu përgjigjur ndryshimeve të ndodhura dhe që pritet të ndodhin në të ardhmen në tregun e punës dhe marrëdhëniet që lindin brenda tij. Kërkesat për ndryshime dhe përmirësime të Kodit të Punës kanë ardhur si nga organizmat ndërkombëtarë, ashtu edhe nga partnerët socialë dhe ajo që unë mund të them është se grupi i punës i ka shqyrtuar dhe reflektuar ato rast pas rasti. Kodet janë ligje specifike, të cilat kërkojnë votim të cilësuar nga Parlamenti dhe kjo kërkon edhe pjesëmarrjen e opozitës në të, kështu që në momentin e duhur ndryshimet do të paraqiten për miratim edhe në Parlament. Ligji i ri për ndihmën ekonomike ka pësuar ndryshime të njëpasnjëshme. Kur do të kemi një draft final dhe si do të përfshihet praktika e paralajmëruar e tollonave? Përmirësimet e ligjit lidhen me zgjerimin e grupeve përfituese dhe sigurimin e përfshirjes sociale dhe mosdiskriminimin e tyre. Vetëm një javë më parë u miratua nga Parlamenti ndryshimi ligjor që parashikon, për herë të parë, përfshirjen në skemën e përfituesve të ndihmës ekonomike edhe të viktimave të trafikimit, pasi ata dalin nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social. Në praktikë ka lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve si përfitues të ndihmës ekonomike. Mund të garantoj se po vazhdon puna për përfshirjen në skemë edhe të disa grupeve të tjera. Me ndryshimet që iu bënë ligjit, ne morëm përsipër edhe financimin me fonde qendrore buxhetore të qendrave rezidenciale jopublike që ofrojnë shërbime për viktimat e trafikimit. Me miratimin e këtyre dy ndryshimeve ligjore ne realizuam edhe një nga detyrimet e qeverisë shqiptare për liberalizimin e vizave. Për sa i përket parashikimit që ndihma për familjet në nevojë të mos jetë vetëm nëpërmjet pagesave kesh, por edhe me paketa të përmuajshme ushqimore, strukturat tona po punojnë intensivisht, në bashkëpunim të ngushtë edhe me strukturat vendore, për të identifikuar jo thjesht numrin e familjeve në nevojë, por edhe se cilat janë ato për çdo fshat, të cilësdo komunë apo lagjeje të çdo bashkie, duke identifikuar edhe nevojat reale të secilës prej tyre. Jemi në fund të kësaj sipërmarrjeje dhe, pas kësaj, do të paraqesim edhe propozimet tona për numrin e familjeve përfituese të paketës ushqimore, nivelin e këtij përfitimi dhe mënyrën e realizimit. A do të ketë sërish rritje të ndihmës ekonomike dhe