Ksera: 10 milionë lekë për punësimin në Elbasan
Fondi
Do të subvencionohet kuota ushqimore e klientëve në qendrat jopublike të kujdesit shoqëror
Gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit, Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, u shpreh se gjatë këtij viti do të ketë një fond të veçantë për nxitjen e punësimit për këtë qytet, që arrin në 10 milionë lekë të reja. Këtë vit një rëndësi e veçantë do t’i jepet qendrave të formimit profesional, ku qyteti i Elbasanit zë vendin e parë me një qender model, ku janë investuar më shumë se 2,2 milionë dollarë. Ministri Ksera zhvilloi vizita edhe në qendrën antitrafikim “Tjetër Vizion” dhe qendrën e femijeve “Orët Fatlume”. Sipas tij, vizita të tilla do të kenë për qëllim koordinimin e përpjekjeve mes institucioneve shtetërore dhe njësive të pushtetit lokal për zbatimin e politikave efektive mbi zbutjen e varfërisë, reformën në sistemin e ndihmës ekonomike dhe mbështetjen e formimit profesional, për të orientuar në veçanti moshat e reja drejt kërkesave të tregut. Vizita në Qendrën e Formimit Profesional ka shërbyer për të parë nga afër kushtet e qendrës dhe mënyrën e administrimit të një investimi prej 2.2 milionë USD. Punonjësit kërkuan kthimin e saj në një Qendër Kombëtare të Formimit Profesional. Gjithashtu, temë e dikutimeve ka qenë mënyra e licensimit të profesioneve dhe kuadrit të rregullave dhe atij ligjor që mundëson disiplinimin e profesioneve.
Gjatë vizitës në Qendrën “Orët Fatlume” ministri Ksera informoi se shteti do të subvencionojë kuotën ushqimore të fëmijëve dhe të të moshuarve që gjenden në qendrat private ose shtetërore të kujdesit shoqëror. Kjo do të bëhet me kalimin e ligjit të ri në Parlament.
#