Lidhja për Demokraci dhe Integrim
Preshevë, shqiptarët krijojnë parti të re
Shqiptarët e Preshevës formojnë një formacion tjetër politik. Tre partive aktuale i shtohet edhe Lëvizja për Demokraci dhe Integrim (LDI). Në një deklaratë për mediat, komisioni nismëtar i kësaj force të re politike thekson se “Lëvizja për Demokraci dhe Integrim” (LDI), formohet si organizim shoqëror-politik i shqiptarëve të këtyre viseve me qëndrim në Kosovë, dhe i të gjithë përkrahësve vullnetmirë nga Kosova, për integrime brenda shqiptare, rajonale dhe europiane, në baza të vlerave të demokracisë dhe drejtësisë autentike dhe asaj ndërkombëtare”.
Duke shtruar argumentet e krijimit të saj, komunikata thekson se “Serbia i ka duart e lira të ushtrojë presione, dhunë e terror kundër popullatës së pambrojtur shqiptare, kur të dojë e si të dojë, duke sajuar skenarë të llojllojshëm për shpërnguljen sa më të madhe të shqiptarëve autoktonë. Shqiptarët e këtyre tri komunave, aktualisht rreth 30000 me qëndrim në Republikën e Kosovës, kanë ngelur pa asnjë zë legjitim për t'i shprehur shqetësimet për të drejtat e popullatës së kësaj treve në institucione të Kosovës”. Hollësitë e veprimtarisë së LDI-së do të shpalosen përmes platformës së saj, që do të miratohet në Kuvend.
#