Rama: Po dështoi tryeza, do të përshkallëzojmë protestat
Qëndrimi
Kreu i opozitës vazhdon takimet për të shpalosur platformën për krizën
Kryesocialisti Edi Rama ka deklaruar nga Durrësi se PS është e vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës së nisur dhe se rrënjët e krizës që ka mbërthyer vendin i sheh në kutitë e pahapura të votimit. Nëse tryeza e Presidentit do të dështojë, protestat do të vijojnë. “Ky është një pushtet grabitësish, pushtet i deformuar dhe që dhunon popullin e vet”. Ndërsa gjithnjë e më shumë po flitet për tryezën e afërt të kompromisit që po organizon Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tonet e nxehta të dy krahëve të politikës nuk janë ulur aspak. Madje as qëndrimet përkatëse. Kryesocialisti Edi Rama shprehet se protestat në rrugë do të vazhdojnë nëse dialogu nuk do të ketë rezultat. “Ato do të kenë një qëllim, jo marrjen e pushtetit, por hapjen e kutive të votimit si një garanci për të nesërmen e vendit”, sqaroi Rama, i cili dje në mesditë, ka vijuar bashkëbisedimin mbi arsyet e protestës në Durrës, qytetin që ka qenë ndalesa e radhës për të çelur lëvizjet e tij në rrethe. A do të jetë e suksesshme tryeza që pritet të thërrasë Presidenti Topi në kushtet e një atmosfere të tensionuar politike dhe krizës së pohuar tashmë dhe nga faktorët ndërkombëtarë, ndërkohë që Rama akuzohet nga e djathta si nxitës i marrjes së pushtetit me dhunë? Rama thotë se do të shkojë në tryezën e Presidentit “jo për të zhvilluar një betejë gladiatorësh, ku njëra palë triumfon dhe tjetra gjunjëzohet, por për të arritur mirëkuptimin që e drejta e shqiptarëve për votën e lirë të vendoset”. Duke u ndalur te shprehjet e disa prej eksponentëve të pushtetit që krahasojnë protestat e sotme me ato të viteve ‘90, ai theksoi se të dyja i bashkon nevoja për liri e demokraci dhe në asnjë rast protestat nuk kanë lidhje me dhunën, po me rezistencën demokratike. Transparenca dhe arritja e dialogut, sipas kreut të selisë rozë, janë të pamundura pa hapjen e kutive, një akt krejtësisht legjitim në ndërtimin e një demokracie të shëndoshë që respekton vullnetin e popullit. Rama anashkalon dhënien e mendimit paraprak mbi ecurinë dhe suksesin e tryezës. Rama përsëriti kërkesën e opozitës për hapjen e kutive dhe hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit përmes këtij akti që dëshmon krimin e kryer përmes dhunimit të votës së popullit. Ai e vlerësoi bojkotin si një formë të protestës të mbështetur gjerësisht nga socialistët dhe që vijoi si pasojë e mosmarrjes së përgjigjes për kërkesën drejtuar Parlamentit për hapjen e kutive dhe se futja në Parlament nuk ndodh pa zbardhjen e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. "Nuk kërkojmë përmbysjen e pushtetit në tavolinë dhe as në rrugë, por transparencën e procesit zgjedhor për t'i dhënë fund korrupsionit zgjedhor. E drejta për transparencë lidhet me aktin e vendimmarrjes. Objektivi ynë është kombëtar. I përket të gjithëve, që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme".
#