Ksera: Do të ndërtojmë bibliotekë për të moshuarit
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, ministri i Punës, Spiro Ksera, ka zhvilluar një vizitë në qendrën e të moshuarve në kryeqytet, për të qëndruar afër tyre në këtë ditë. Ministri i sapoemëruar në këtë post ka biseduar me të moshuarit dhe ka parë nga afër ambientet dhe kushtet në të cilat ata jetojnë. “Synimi i qeverisë “Berisha” dhe imi personal është të përmirësojmë më tej jetën e shtresave në nevojë, veçanërisht të moshuarve, nëpërmjet rritjes së sasisë dhe cilësisë së shërbimeve sociale dhe shëndetësore”, - ka thënë ministri Ksera. Gjithashtu, ai u ka premtuar të moshuarve që së shpejti do të ndërtohet një bibliotekë në ambientet e qendrës, në mënyrë që banorët e këtij institucioni social të kenë mundësi të lexojnë jo vetëm shtypin e ditës, por edhe botime artistike dhe shkencore. Këtë premtim ministri e bëri pas kërkesave dhe nevojave që kishin të moshuarit rezidentë të qendrës publike, për të pasur një ambient të tyrin për të kaluar një pjesë të kohës. Duke iu drejtuar të moshuarve, ministri Ksera ka thënë: “Vizitën time të parë si ministër e bëj në një qendër të moshuarish, por ishte kërkesa dhe dëshira ime që t’ju shpreh juve angazhimin dhe mbështetjen në vazhdimësi ndaj kërkesave dhe nevojave tuaja”. Më tej, duke biseduar me të moshuarit, ai është shprehur: “Tregues i këtij serioziteti janë përpjekjet që janë bërë pas 2005-s, ku, në bashkëpunim me Bankën Botërore, është rindërtuar pjesa më e madhe e qendrave rezidenciale për të moshuarit, me qëllim që kushtet në to të jenë në përputhje me standardet”. Gjithashtu, një tjetër pikë që ministri diskutoi, ishte se do të ketë rritje të kuotës dhe cilësisë së ushqimit në qendra, si dhe rritje të ndjeshme të masës së pensionit të pleqërisë së qytetit dhe dyfishimit të pensionit të fshatit. “Kemi përfunduar hartimin e Dokumentit Politik për Moshimin, i cili jo vetëm plotëson angazhimet tona ndërkombëtare, por me anë të të cilit ne synojmë të jemi sa më pranë zgjidhjes së problematikës së të moshuarve”, - është shprehur zoti Ksera në fund të vizitës së tij në Qendrën Publike për të Moshuarit në Tiranë.