Ksera: “Kuotat ushqimore në qendrat sociale për fëmijë, janë rritur 25%”
Kuotat ushqimore në qendrat sociale publike për fëmijë janë rritur me 25 për qind gjatë këtij viti krahasuar me dy vite më parë. Kështu ka deklaruar dje, ministri i Punës, Spiro Ksera, në takimin kombëtar për zbatimin e programit “Për zvogëlimin e kequshqyerjes së fëmijëve shqiptarë dhe rritjen e aksesit për ushqim”. Ministri Ksera ka bërë të ditur se aktualisht, Ministria e Punës, po punon për përmirësimin e legjislacionit dhe përafrimin e tij me atë europian, ngritjen e institucionit të komisionerit, si dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore dhe jo vetëm, për integrimin e vendit në familjen evropiane. Më tej, kreu i dikasterit të Punës theksoi se, “reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale synon të ndikojë drejtpërsëdrejti në reduktimin e varfërisë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për familjet dhe grupet në nevojë, ku përfshihen edhe fëmijët”. Duke u ndalur në programin e ndihmës ekonomike për vitin 2010, Ksera bëri me dije se “96 mijë familjet në skemë mbështeten me një fond prej 5 miliardë lekë, nga 3.5 miliardë lekë në vitin 2008, ose me 66% më shumë fonde për mbulimin e varfërisë, duke arritur kështu dyfishim të masës mesatare për familje. Ministri i Punës ka deklaruar se qeveria ka miratuar tashmë një Strategji për Kujdestarinë për Fëmijët, si shërbim i ri alternativ, i cili po pilotohet në dy bashki (Tiranë, Shkodër). Deri në vitin 2013 synohet shtrirja e këtij shërbimi edhe në njësitë e tjera vendore në përputhje me nevojat dhe mundësitë e buxhetit.
12 Maj 2010