E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera: Ndërmarrje sociale për grupet në nevojë

TIRANE- Për herë të parë dhe Shqipëria do të ketë ndërmarrje sociale. Një ligj, i cili ka nisur të hartohet nga strukturat e ministrisë së Punës në bashkëpunim me ekspertë italianë, parashikon që dhe Shqipëria, sikurse vendet e rajonit, të lejojë ngritjen e bizneseve dhe ndërmarrjeve sociale, të cilat do të ofrojnë shërbime për grupet në nevojë.
Në konferencën "Zhvillimi dhe Kohezioni Social", ministri i Punës, Spiro Ksera deklaroi se ngritja e ndërmarrjeve sociale do të favorizojë hyrjen në punë të grupeve në nevojë përmes prodhimit të të mirave dhe shërbimeve me dobi sociale dhe interes kolektiv.

“Ligji do të krijojë kushtet e nevojshme për të inkurajuar iniciativa të zhvillimit të aktiviteteve prodhuese, me qëllim që të realizojnë të ardhura për të mbështetur shërbimet e tyre sociale. Fitimi është një mjet për të arritur objektivat sociale, që duhet të jetë pjesë e misionit për përfshirjen sociale, punësimin dhe riintegrimin e grupeve në nevojë”, tha ministri Ksera.

Sipas tij, ndërmarrjet sociale janë një hap më përpara se OJF-të, jo vetëm në ofrimin e shërbimeve të ndryshme social-shëndetësore, por dhe në strukturë dhe menaxhim, që mund të lidhin kontrata me shtetin për menaxhimin e shërbimeve të ndryshme, duke garantuar cilësi më të lartë e kosto më të ulët për buxhetin e shtetit.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›