E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, avokatë britanikë për çështjen çame

 

VLORE - Drejtuesit e PDU-së prezantuan dje përpara komunitetit çam avokatët britanikë të një studioje ligjore e specializuar për genocide. Ata do të përfaqësojnë çështjen çame në gjykatat ndërkombëtare, në atë të Strasburgut për pronat dhe atë të Hagës për genocidin që është bërë nga grekët ndaj popullsisë. Dy avokatët britanikë, organizuan një takim me përfaqësues të këtij komuniteti, ku kanë dëgjuar dëshmi konkrete nga të mbijetuarit. Qëllimi i kësaj iniciative të ndërmarrë nga PDU-ja, sikundër sqaroi edhe kreu i kësaj force Shpëtim Idrizi dhe deputeti tjetër Dashamir Tahiri, është zgjidhja e çështjes çame. “Ngjarjet e vitit 1944, janë një tmerr që tregon egërsinë ndaj popullsisë çame, duke mos kursyer as gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Nga familja ime u vranë 5 vetë, babai, nëna, vëllai, motra dhe halla”, rrëfeu 82-vjeçari Seiko Zeqiri, një prej dëshmitarëve. Bashkë me Zeqirin, dhjetëra burra e gra, të mbledhur dje kanë dhënë dëshmitë e tyre, duke kujtuar dhe një herë vitin e genocidit. Rreth 10 mijë viktima sipas komunitetit çam u shënuan në këtë periudhë masakre.           q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›