E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e KLD-së, masa disiplinore për 6 gjyqtarë

TIRANE- Të paktën gjashtë gjyqtarë nga rrethe të ndryshme të vendit janë kapur me shkelje nga kontrollet që ushtroi Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe pritet të merren masat disiplinore ndaj tyre. Burime pranë KLD-së thanë se ka përfunduar kontrolli në disa gjykata dhe në raportet e përpiluara nga inspektorët janë evidentuar të gjitha shkeljet që kanë kryer gjykatësit në gjykatat e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Korçës. Raportin në fjalë, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ia ka dërguar ministrit të Drejtësisë Eduart Halimi, i cili në bazë të ligjit i cili ka të drejtën ekskluzive për të kërkuar masa disiplinore, deri për shkarkim për gjykatësit e kapur me shkelje.

Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë thanë se kanë nisur procedurat dhe të gjithë gjykatësve të gjetur me shkelje u është vënë në dispozicion raporti dhe pasi të japin pretendimet e tyre do të vendoset nëse do të kërkohet ndonjë masë. Në fakt, në raportin e KLD-së thuhet se në disa raste gjykatësit ndodheshin jashtë Shqipërisë në një kohë që në dosje është shënuar sikur kanë zhvilluar seanca gjyqësore.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›