E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen në Itali, 4 makinat e vjedhura

 

TIRANE – Prokuroria u kthen pronarëve mjetet e vjedhura dhe të bllokuara në Shqipëri. Me anë të një njoftimi zyrtar, organi qendror i akuzës bëri të ditur se në kuadër të vazhdimësisë së bashkëpunimit të frytshëm midis Prokurorisë së  Tiranës, Prokurorisë së Shkodrës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Policisë Italiane në Shqipëri “Interforce”, i janë kthyer automjetet e vjedhura pronarëve të ligjshëm. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, organi i akuzës i Shkodrës ka kthyer tre automjete luksoze tip BMW. E para është automjeti tip BMW me targë AG390L, i bllokuar në kuadër të procedimit penal numër 9 të vitit 2008. Makina e dytë që u është dorëzuar italianëve është mjeti tip BMW 320, i bllokuar në kuadër të procedimit penal numër 413 të vitit të kaluar. Po kështu, Prokuroria e Shkodrës u ka dorëzuar italianëve mjetin tip BMW 525, i bllokuar në kuadër të procedimit penal numër 859, të vitit 2008. Kurse nga prokuroria e kryeqytetit është kthyer mjeti tip “Porsche Cayenne”, i bllokuar në kuadër të procedimit penal numër 3974 të vitit 2007. Prokuroria pohon se falë këtij bashkëpunimi është bërë i mundur deri më tani kthimi edhe i një numri të konsiderueshëm automjetesh të vjedhura, po kështu bashkëpunimi në këtë fushë është shtrirë edhe me autoritetet e vende të tjera, ku shpejt pritet të realizohet rikthimi i këtyre automjeteve pronarëve të ligjshëm në shtetet përkatëse. Që pas vitit 1991, kur emigrantët shqiptarë nisën të sillnin në vend mjetet e para, doli problemi i vjedhjes së makinave luksoze, kryesisht në vendet perëndimore. Këto mjete shpeshherë janë pajisur me dokumente të falsifikuara dhe janë përdorur brenda vendit. Të paktën deri pak vite më parë, pjesa dërmuese e mjeteve që hynin në Shqipëri rezultonin të vjedhura jashtë vendit. Por mungesa e legjislacionit bënte që ato të bllokoheshin nga policia dhe më pas të mbeteshin në pikat e bllokimit, derisa shkatërroheshin plotësisht. Por ndryshe nga kjo, nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit me prokuroritë dhe policitë e vendeve fqinje, ka bërë që mjetet e vjedhura nëpër këto vende, të cilat kapen në territorin shqiptar, u kthehen sërish pronarëve të ligjshëm.                               f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›