Mat, hetim hoxhallarëve të rremë dhe fallxhoreve
BURREL/ HASAN PASHA
“Pseudohoxhallarët po zhvatin besim-tarët”. Akuza e rëndë vjen pikërisht në muajin e Ramazanit. Shefi i Çështjeve Islame në Myftininë e Rrethit Mat, Fatmir Sulaj ka denoncuar dje publikisht mashtrimet dhe veprimet e disa hoxhallarëve të rremë, të cilët sipas tij po zhvatin qytetarët, sidomos gjatë këtij muaji kur shumë besimtarë agjërojnë. Ai thotë se si në çdo vend të botës do të kërkohet ndërhyrja e institucioneve shtetërore për të frenuar mashtrimet e këtyre njerëzve të pashkolluar dhe të paautorizuar nga Myftinia e këtij rrethi. Në intervistën e tij Sulaj sqaron besimtarët myslimanë se këta persona të vetëshpallur si hoxhallarë dallojnë sepse kërkojnë para dhe se për të njëjtën çështje japin zgjidhje të ndryshme. Myftinia e Matit u lutet besimtarëve të distancohen nga pseudohoxhallarët dhe fallxhoret që janë shtuar kohët e fundit.
Zoti Sulaj, kohët e fundit, sidomos gjatë muajit të Ramazanit keni konstatuar njerëz të paautorizuar nga Myftinia që hiqen si hoxhallarë?
Po, kjo është mëse e vërtetë. Është një shqetësim që ne duam ta ndajmë me besimtarët. Jemi përpjekur maksimalisht të marrim masa për ndaljen e veprimtarisë së disa personave që janë vetëshpallur hoxhallarë, por nuk ia kemi arritur plotësisht qëllimit. Ne jemi të vendosur t’u drejtohemi institucioneve shtetërore, pasi këta persona të vetëshpallur hoxhallarë po abuzojnë me fenë Islame, po mashtrojnë dhe zhvatin jashtëzakonisht shumë njerëzit në këtë rreth. Janë disa persona, emrat e të cilëve për momentin nuk do t’i bëjmë publikë që e quajnë veten hoxhë, merren me faljen e xhenazeve, merren me jasinet, etj., dhe të gjitha këto i bëjnë me pagesë.
Cili ka qenë roli i Myftinisë dhe çfarë do t’u sugjeronit besimtarëve?
Fillimisht u bëjmë thirrje këtyre personave që vazhdojnë të abuzojnë me fenë dhe me qytetarët të ndalin këtë aktivitet akuzues. Ne vazhdojmë të krijojmë bindjen e plotë tek të gjithë besimtarët se Myftinia dhe njerëzit e saj të autorizuar gjithçka e kryejnë pa pagesë. Për çdo hall që ato kanë le t’i drejtohen Myftinisë dhe ajo do t’u vijë në ndihmë pa pagesë.
Si mund ta kuptojnë besimtarët se kanë të bëjnë me një hoxhë të vetëshpallur si të tillë?
Kjo nuk është shumë e vështirë. Së pari të vetëshpallurit hoxhallarë për çdo “shërbim” marrin lekë, ndërkohë hoxhallarët e shkolluar dhe të autorizuar nga Myftinia gjithçka e bëjnë pa pagesë. Së dyti, këto hoxhallarë për të njëjtin problem japin zgjidhje të ndryshme, dikujt i japin një zgjidhje dhe dikujt tjetër një zgjidhje tjetër, duke sjellë jo pak probleme. Ne e kemi thënë dhe e përsërisim se Kurani nuk shitet me lekë siç veprojnë këto persona të vetëshpallur hoxhallarë.
Një problem më vete janë fallxhoret, të cilat muajt e fundit janë shtuar shumë. Çfarë mendimi keni rreth tyre?
Ky konstatim është mëse i vërtetë. Ne kemi evidentuar raste të shumta ndaj u lutemi besimtarëve të mos shkojnë, të mos aplikojnë dhe të distancohen prej tyre. Ato po çorodisin njerëzit me “zgjidhjet” e ndryshme që u japin për të njëjtin shqetësim.
A mund të ndalen abuzues të tillë?
Sigurisht që po. Në çdo vend të botës njerëz të tillë që abuzojnë me fenë ndalohen nga institucionet shtetërore. Them se pas kërkesës sonë drejtuar autoriteteve më të larta të shtetit do të ndërhyhet për ndaljen e këtyre personave që mashtrojnë duke u vetëquajtur hoxhallarë, status që në të vërtetë nuk e kanë.