E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet adoleshentja, largimi thjesht aventurë

Pas 5 ditësh në arrati, vajza është gjetur nga policia e Vlorës në lagjen "Partizani" të qytetit
Vajza, e marrë në pyetje dëshmon në polici se është larguar me dëshirë: Isha për 5 ditë në Tiranë
VLORË- Adoleshentja e zhdukur pesë ditë më parë është gjetur vetëm orët e vona të së enjtes në qytetin e Vlorës. Kanë qenë efektivë të sektorit të policisë kriminale, të cilët kanë finalizuar gjetjen e saj dhe më pas shoqërimin në ambientet e komisariatit të policisë së Vlorës. Largim me dëshirë nga shtëpia për të kaluar disa ditë në Tiranë. Kjo ka qenë përgjigja e dhënë nga vajza, duke shuar përfundimisht dyshimet lidhur me misterin e arratisë, ndonëse ka lënë paksa të habitur uniformat blu.
Ka qenë ora rreth 23.45, kur efektivët e policisë së Vlorës kanë gjetur adoleshenten 16-vjeçare, Fiorenza Z, në lagjen "Partizani", pranë Spitalit Rajonal të qytetit. Pas gjetjes dhe identifikimit të saj, policët e kanë shoqëruarnë komisariat, për të dhënë sqarime rreth largimit të saj misterioz. Largim që vuri në alarm, jo vetëm familjen, por edhe policinë e qytetit bregdetar dhe atë të rretheve, nga frika e ndonjë rrëmbimi të mundshëm për qëllime trafikimi. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm ata kanë marrë më pas në pyetje vajzën, për të sqaruar rrethanat e largimit të saj. Efektivët e policisë e kanë pyetur nëse e kanë shtrënguar persona të tjerë të kryejë këtë veprim, apo ka pasur bashkëpunëtorë.
Por vajza ka sqaruar e qetë se është larguar vetë nga shtëpia, për të kaluar disa ditë në kryeqytet. "Jam larguar nga shtëpia për të qëndruar disa ditë në Tiranë"- mësohet të ketë thënë vajza para uniformave të policisë së Vlorës. e pyetur deri në detaje, ajo nuk ka dhënë asnjë shkak, madje nuk ka pranuar fillimisht as të japë hollësi rreth kësaj arratie, e cila ka vënë në alarm jo vetëm familjarët, por edhe vënë në lëvizje efektivët e policisë. Ajo nuk ka paraqitur as grindje me familjarët dhe as shkak tjetër. Siç mësohet nga efektivët, 16-vjeçarja ka zgjedhur edhe më parë mënyrë të ngjashme të largimit, por të pa denoncuara nga familjarët, veç rastit të fundit. Aventura e vajzës gjithsesi ka përfunduar pa pasoja për të, por si bëhet me dije nga ana e policisë së Vlorës, çështja është nën hetim për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Vajza u largua nga banesa e saj në datën 14 janar, ditë kur u nis në orën 7.30 të mëngjesit si zakonisht për në shkollë. Por familja është shqetësuar pasi ajo nuk u kthye në drekë e as atë darkë. Familjarët nisën kërkimet dhe kur nuk gjetën asnjë gjurmë të saj iu drejtuan policisë në mesditën e 15 janarit, kohë kur vajza u shpall në kërkim. Të njohur të saj, bënë me dije për policinë se vajza ishte larguar edhe më parë, duke sajuar rrëmbimin dhe duke i kërkuar familjes para në këmbim të lirimit, fakt që nuk është pranuar të komentohet nga familjarët. Që në fillim, policia i qëndroi bindjes së fortë se vajza ishte larguar vetë, por pa përjashtuar edhe pista të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›