E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet nga burgu, tenton të vrasë ish-gruan me levë

Petrit Rakipi i ka kërkuar ish-bashkëshortes të bashkoheshin por kur ajo ka refuzuar ka nxjerrë një levë hekuri
KORÇË- Një 47-vjeçar i sapoliruar burgu ka tentuar të vrasë ish- bashkëshorten e tij me një levë hekuri por për fat të mirë ajo ka arritur që të shpëtojë. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Korçës dhe vetëm ndërhyrja e menjëhershme e policisë lokale ka shmangur një tragjedi të mundshme. Petrit Rakipi i është rikthyer qelive të paraburgimit dhe këtë herë do të akuzohet për kanosje serioze për vrasje. Ish- bashkëshortja e tij ka marrë vetëm disa dëmtime të lehta ndërsa fëmija i tyre i vogël ka pësuar një traumë nga skena që ka parë të atin me levë hekuri në dorë duke tentuar të vrasë të ëmën.
Burimet e policisë së Korçës pohuan se Petrit Rakipi ka qenë i dënuar për plagosje të rëndë dhe vetëm pak ditë më parë ai është liruar nga burgu. Por me të rifituar lirinë ai ka dashur që t'i rikthehet edhe jetës që ka pasur vite më parë. Ai ka dashur që të ribashkohet me të shoqen 44-vjeçare, nga e cila ishte ndarë kohë më parë. Kështu 47-vjeçari është nisur nga qyteti i Bilishtit për në Korçë, aty ku banon ish- e shoqja, Shpresa dhe fëmija i tyre i vogël. Sipas policisë, Shpresa Rakipi banon në shtëpinë e prindërve të saj dhe nuk kishte asnjë dijeni se ish-bashkëshorti kishte dalë nga burgu. Ditën e djeshme ajo ndodhej së bashku me fëmijën e vogël në shtëpinë e prindërve të saj kur në një moment në derë është shfaqur Petrit Rakipi. Ky i fundit ka hyrë në banesë dhe i ka kërkuar ish- të shoqes që të rikthehej në Bilisht me të dhe të vazhdonin jetën që kishin më parë. Gruaja e ka kundërshtuar duke mos pranuar kurrsesi t'i kthehej ferrit të jetës së saj familjare, ndërkohë që nuk ka dashur as të bisedojë më me të. Kur ajo e ka refuzuar, Petrit Rakipi ka nxjerrë një levë hekuri që kishte me vete dhe e ka kërcënuar se do ta vriste. Sipas denoncimit të gruas, ai e ka qëlluar disa herë me shpulla dhe më pas ka tentuar që ta godasë me levën e hekurit që kishte me vete. Gruaja ka rendur nëpër shtëpi dhe ka arritur që të telefonojë policinë lokale dhe t'i tregojë për ngjarjen. Uniformat blu kanë shkuar vetëm pak minuta më pas në banesën ku ndodhej gruaja dhe kanë gjetur aty Petrit Rakipin që kishte ende në dorë levën e hekurit. Ai i është bindur thirrjeve të policisë për të lënë levën e hekurit dhe më pas është dërguar në dhomat e paraburgimit të policisë së Korçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›