E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet lopa e çmendur. Dy viktima në Spanjë

Dy të rinj kanë gjetur vdekjen në Spanjë, për shkak të sëmundjes së "lopës së çmendur", respektivisht në Castilla dhe Leon. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja spanjolle "El Pais", e cila citon burime nga Ministria e Shëndetësisë. Dy personat janë goditur nga virusi i njohur si "Creutzfeld-Jacob", që konsiderohet edhe varianti njerëzor i sindromës. Dy viktimat, sipas burimeve nga departamenti rajonal i shëndetit, kanë humbur jetën njëri tre muaj më parë dhe tjetri, javën e shkuar. Sipas radios kombëtare spanjolle, njëri nga viktimat ishte 41 vjeç dhe tjetri, 26. Sëmundja nuk shkaktonte më viktima në Spanjë që nga viti 2005, kur vdiq edhe një grua 26-vjeçare. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Referimit mbi "Encefalopatitë e transmetueshme", Huan Hoze Badiola, i cituar nga "El Pais", apelon për qetësi. "Nuk duhet të alarmohemi, sepse ka gjasa që dy viktimat të jenë prekur nga virusi tetë vjet më parë". Sipas Badiolës, "ka shumë mundësi që të individualizohen në Spanjë, në muajt e ardhshëm, edhe raste të tjera të sëmundjes së lopës së çmendur". Burime nga departamenti i shëndetësisë, kanë saktësuar për "El Pais", se Spanja ka ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme të parashikuara nga rrjeti kombëtar dhe ai evropian. Departamenti i shëndetësisë tha ndërkohë, se këto nuk ishin rastet e para të vdekjes me këtë virus në Spanjë, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ndërkohë, radioja kombëtare spanjolle, tha se i vetmi rast i mëparshëm, i vdekjes si pasojë e sëmundjes së lopës së çmendur, ishte ai i Madridit, në 2005-ën. Në Spanjë, që nga 1999-a, janë zbuluar 719 raste të lopës së çmendur te kafshët. Ndërkohë, sëmundja e lopës së çmendur, është shfaqur fillimisht në Britaninë e Madhe në vitet 1980 dhe është zbuluar më pas edhe në disa vende të tjera evropiane dhe joevropiane. Shkencëtarët besojnë se ajo transmetohet nëpërmjet mishit të infektuar dhe mund të shkaktojë edhe vdekjen te njerëzit. Vetëm në Britaninë e Madhe, kjo sëmundje çoi në therjen dhe djegien e rreth 3.7 milionë bagëtive. Mes viteve 1986 dhe 2002, në Britani janë konfirmuar mbi 181 mijë raste të kësaj sëmundjeje. Gjithsesi, vendi ka shpenzuar shuma të mëdha parash, më shumë se 6 miliardë dollarë, për të kapërcyer krizën. Që nga 1988-a, kjo sëmundje është konsideruar një problem serioz dhe që nga ajo kohë, eksporti i mishit nga Britania ka qenë i ndaluar. Masa u shfuqizua pjesërisht në 1999-ën, ndërsa në mars 2006, ekspertët e BE-së pranuan të hiqnin embargon, rreth 10 vjet pasi ajo ishte vënë në fuqi. Në 2007-ën, u identifikuan 15 raste të reja në Amerikën e Veriut, tre në Shtetet e Bashkuara dhe 12 në Kanada. Virusi Creutzfeld-Jacob është në fakt një shkatërrues fatal që degjeneron nervat njerëzore. Qëkur sëmundja u identifikua për të parën herë te njerëzit, në mars 1996, ajo u ka marrë jetën 160 personave, në Britaninë e Madhe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›