Kthehet në TK Forca e zakonit
Shfaqja
Pas disa shfaqjeve të suksesshme në vitin 2009, komedia austriake, “Forca e zakonit”, rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar. Nën interpretimin e aktorëve Vasjan Lami, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Sueda Hoxha, Elton çefa, me regji të austriakut Chris Papke, ajo do të shfaqet në datat 19 dhe 20 shkurt. “Forca e zakonit”, shkruar nga dramaturgu austriak, Thomas Bernhard, është një metaforë për eksperiencën njerëzore, për trullosjen e mendjes nga mërzia dhe nga rutina e së përditshmes në cirk. Për të sjellë një panoramë më të plotë të asaj që ndodh në një cirk, Papke ka gërshetuar edhe muzikën dhe baletin. Në skenë do të ketë instrumente muzikore dhe një çift balerinësh. Chris Papke, një regjisor i prirur drejt teatrit modern, është përpjekur që në skenën shqiptare të sjellë një ndërthurje mes tendencave bashkëkohore dhe klasikes. Historia e një drejtuesi cirku dhe përpjekja për ngritjen e një orkestre, nuk është vetëm një aktrim i mirëfilltë. “Forca e zakonit” është përkthyer në gjuhën shqipe nga Jonila Godole. Kjo është vepra e parë nga dramaturgu austriak, Thomas Bernhard, që ngjitet në Teatrin Kombëtar. E shkruar në vitin 1974, “Forca e zakonit” u ngjit premierë në TK me rastin 20-vjetorit të vdekjes së Bernhardit.
#