Mesazhe dashurie prej Teatrit të Korçës
Premiera
Guri Koço sjell në skenë komedinë “Kurrë mos u dëshpëro”
“Kurrë mos u dëshpëro”, ky është titulli i premierës më të re në Teatrin e Korçës. Vepra, e cila ka ardhur si një dhuratë për publikun korçar, me rastin e Shën Valentinit, ditës së të dashuruarve, është ngjitur në skenë nën regjinë e Guri Koços. Përmes notave të humorit, titulli i veprës ka qenë edhe mesazhi i dashurisë që erdhi nga skena e një teatri, si për të thënë se nuk ka asgjë më të shtrenjtë se jeta, por edhe vetë ndjenja e dashurisë. Për regjisorin Guri Koço, jeta është një dhuratë e vyer dhe nuk ia vlen që ta ngarkosh me dëshpërim dhe trishtim. Ndër të tjera ai tregon se jo pa qëllim ka dashur t’ia përcjellë këto mesazhe publikut në një ditë kaq të veçantë e jo rastësisht është zgjedhur 14 shkurti për premierën e komedisë së vënë në skenë prej tij. Në qendër të komedisë “Kurrë mos u dëshpëro” janë një sërë momentesh që përcjellin idenë se boshti i gjithçkaje është lumturia dhe ajo që nuk mund të arrihet me ndjenjën e trishtimit. Regjisori thotë se vepra, edhe pse komike, përcjell mesazhe të mëdha, ndërsa ajo që e bën të suksesshme janë aktorët që ai i quan si copëza cilësore, që formojnë një tërësi, një unitet, duke i dhënë komedisë më tepër se suksesin, arritjen skenike dhe interpretative të secilit prej tyre. Komedia ka gërshetuar në lojën aktoriale jo vetëm figurat e njohura të skenës korçare, por edhe aktorët e rinj, ata që i japin frymën rinore një vepre plot dëshirë dhe pasion për jetën. Përkrah aktorëve si Zamira Kita, Marko Bitraku, Arben Dervishi e Petrika Riza, kanë qenë edhe aktorët e rinj, por tashmë të njohur dhe të dashur për publikun. Xheni Hallulli dhe Albano Prodani i kanë dhënë ngjyrë dhe hijeshi komedisë, duke sjellë dy personazhe tejet interesante. Koço i mëshon idesë, si për të thënë, se asgjë nuk vlen më shumë për regjisorin Koço. Premiera ka qenë në nivel të lartë artistik. “çfarëdo të ndodhë në jetë, kurrë mos u dëshpëro. Ky është mesazhi që sjell kjo komedi. Gjëja më e bukur dhe e vyer, një dhuratë e shenjtë, është jeta. Asgjë nuk vlen më shumë. Kjo është një përpjekje për të gjetur lumturinë. E kam zgjedhur premierën për Shën Valentin, enkas për të përçuar te publiku këto mesazhe. Komedia ka mesazhe të fuqishme dhe është ndërtuar me humor, por theksimi i ngjyrave lirike e ka bërë perfekte për ditën e të dashuruarve”, shprehet ai, ndërsa vlerëson për suksesin e shfaqjes trupën e aktorëve dhe angazhimin e tyre maksimal. Regjisori mendon se me përzgjedhjen e kësaj komedie, por edhe me vepra të tjera cilësore që janë ngjitur në Teatrin e Korçës, kjo skenë është në pararojë. “E them këtë për faktin se ka cilësi të interpretimit të aktorëve dhe një nivel të lartë të veprave që përzgjidhen për t’u vendosur në skenë. Jam i kënaqur që komedia ka pasur sukses dhe është mirëpritur nga publiku”, përfundon Guri Koço.
#