Ulet çmimi i barnave, shkak rritja e konkurrencës
Rritet numri i barnave të lira të importuara dhe të regjistruara në treg. Shtohet numri i alternativave për trajtim
Në dy vitet e fundit kanë hyrë gjithmonë e më shumë barna të lira. Paralelisht me këtë proces ka ecur edhe procedura e regjistrimit të më shumë barnave se vitet e kaluara. Kjo ka bërë që çmimi mesatar i disa barnave të pësojë ulje, pavarësisht se në treg ka llojshmëri alternativash me çmime të lira, mesatare apo edhe të larta.
Ekspertët e Qendrës së Kontrollit të Barnave kanë kryer një analizë gjatë vitit 2009, nga e cila janë raportuar një listë përfundimesh dhe të dhënash lidhur me çështjen e tregtimit të ilaçeve në tregun farmaceutik.
çmimi
Sipas specialistëve, numri i barnave të regjistruara në dy vitet e fundit 2008-2009, në krahasim me mesataren e tre viteve të mëparshme është rritur me 45 për qind.
Ndërkohë që është rritur me 44 për qind numri i kompanive që kanë regjistruar barna në dy vitet e fundit, krahasuar me tre vitet e mëparshme.
“Rritja e konkurrencës, lufta kundër monopoleve, thjeshtimi i procedurave të regjistrimit dhe eliminimi i burokracisë kanë sjellë rritje të afeksionit të kompanive farmaceutike për tregun tonë. Kjo ka sjellë efekt pozitiv në uljen e çmimit të barnave që qarkullojnë në vend, sigurisht duke mos ndikuar mbi cilësinë e tyre. Të krahasuar në tre vitet e fundit, çmimet e disa barnave të marra në sondazh paraqiten të ulura në vlera të konsiderueshme”, sqaroi kreu i Qendrës së Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj.
Importi i barnave
Mbi import-eksportin dhe hedhjen në treg të barnave në përputhje me legjislacionin për barnat dhe shërbimin farmaceutik për vitin 2009 rezulton se ka rreth 1 mijë leje importi për barna të regjistruara. Janë 185 leje importi nga Ministria e Shëndetësisë për barna të paregjistruara narkotike psikotrope. Janë 110 lekë importi për lëndë të para e ndihmëse, janë 121 leje importi mostra për regjistrim, ka 13 leje eksporti dhe rreth 2500 leje përdorimi. Të gjitha barnat e regjistrua, të pajisura me pullën e kontrollit që qarkullojnë në tregun farmaceutik, u nënshtrohen analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike dhe pajisen me certifikatën e analizës. Këto analiza kryhen për barna që merren nga procesi i regjistrimit në formë sondazhi në rrjetin e hapur farmaceutik, nga importet e para apo në raste reklamimesh.
Në kryerjen e analizave përdoren metodika farmakopeale (USP, BP dhe European Pharmakopea) si dhe metodika të vetë kompanive të përshkruara në dosjen përkatëse. Laboratori i Qendrës së Kontrollit të Barnave është në gjendje të kryejë çdo lloj analize për barnat, duke pasur aparatura bashkëkohore dhe punonjës të specializuar. Gjatë këtij viti është bërë verifikimi i dokumentacionit dhe kontrollit fizik në zhdoganimin e vaksinave të importuara. Këtë vit është importuar për herë të parë vaksina kundër gripit të derrit, si dhe janë inspektuar kushtet e ruajtjes dhe shpërndarjes së vaksinave.
Sipas Jakaj, këtë vit, janë hedhur hapat e parë për ngritjen dhe funksionimin e sistemit të farmakovigjilencës. është vendosur në dispozicion të qytetarëve dhe institucioneve shëndetësore numri i telefonit lidhur me raportimet rreth efekteve të padëshirueshme të barnave që qarkullojnë në tregun tonë.
“Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë është ngritur grupi i punës për hartimin e shtesave dhe ndryshimeve në aktet ligjore e nënligjore në fuqi për ngritjen dhe funksionimin e sistemit të farmakovigjilencës shqiptare”, sqaroi QKKB.
#