Kthehet si deportiv, prangoset për vjedhje
Kërkohej për vjedhje, prangoset në pikën kufitare të Kakavijës. Efektivët e Policisë Kufitare të kësaj pike doganore bënë të mundur dje pasdite ndalimin e shtetasit Tauland Ereqi, 18 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Nga burimet zyrtare të kësaj policie mësohet se ky shtetas është kthyer si deportiv nga policia greke rreth orës 15.00 të së dielës, dhe pasi i është bërë verifikimi i të dhënave në sistemin TIMS, ka rezultuar se ishte person i shpallur në kërkim prej janarit të këtij viti. Mësohet se i riu ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësorë të Vlorës me pesë muaj burg për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim”. Policia kufitare ka bërë ndalimin e tij dhe ka njoftuar më pas Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës për veprime të mëtejshme.
#