Gjobëvënësit e Pogradecit, shtohen tre denoncime të tjera
Gjobëvënësit e Pogradecit, të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Liqeni i pastër”, krahas kërcënimit të një tregtari, duke i zhvatur 4 mijë euro, dyshohen se kanë vendosur gjoba edhe ndaj tre biznesmenëve lokalë, duke u marrë mijëra euro. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila saktëson se para oficerëve të policisë gjyqësore janë paraqitur disa biznesmenë që pretendojnë se janë kërcënuar nga ky grup që vepronte në qytetet e Pogradecit dhe Korçës. Meardi Berberi, djali i një biznesmeni dhe Aleks Hamzallari, nipi i një prokurori, e kanë kryer këtë aktivitet të paligjshëm për një periudhë dyvjeçare.
Dyshohet se ata kanë kërcënuar biznesmenë lokalë, të cilët tashmë janë paraqitur në prokurori për të bërë kallëzimet penale përkatëse. Krahas hetimeve për rastet e tjera, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjykatë kërkesën për vlerësimin e masës së sigurisë, ndërsa sot Berberi dhe Hamzallari do të paraqiten para togave të zeza për masën e sigurisë. Prokuroria deklaron se ka dokumentuar vetëm një rast, pikërisht kërcënimin e tregtarit me inicialet Gj.L., ndërsa po punohet së bashku me policinë për dokumentimin e të paktën të tre rasteve të tjera.
Dy të rinjtë u arrestuan disa ditë më parë, pak sekonda pasi kishin marrë 4 mijë euro nga tregtari Gj.L., në formë gjobe, pasi e kishin kërcënuar se do digjnin lokalet e tij. Në momentin e arrestimit, ata nuk bënë rezistencë, ku edhe iu sekuestruan paratë e marra nga shtetasi Gj.L., numrat e të cilave hetuesit i kishin regjistruar para dorëzimit te “gjobëvënësit”. Dy të rinjtë, Berberi dhe Hamzallari, pasditen e së mërkurës takuan biznesmenin Gj.L., që kishte në pronësi gjashtë dyqane të dhëna me qira kundrejt shumave të ndryshme. Të dy ata, sipas denoncimit, me forcë e kanë detyruar të dëmtuarin të shkojnë te një lokal afër shëtitores së qytetit të Pogradecit.
Rrugës për në lokal, dy të rinjtë i kërkuan pronarit të dyqaneve të mos bënte zhurmë dhe të mos tentonte të ikte, por t’u bindej urdhrave të tyre, ndryshe do ia digjnin lokalet. Sapo u ulën në tavolinë, dy të rinjtë i kërkuan Gj.L., t’iu paguante atyre 4 mijë euro. Kjo shumë duhej paguar të nesërmen e takimit (të enjten), ndryshe do ia shkatërronin lokalet. Ata i kanë kërkuar biznesmenit eurot me qëllim se u duheshin për pushime në shtetin e Francës. “Nëse nuk i sjell, do të djegim dhe shkatërrojmë lokalet”, mësohet që i kanë thënë tregtarit dy “gjobëvënësit”. Në momentin që Berberi dhe Hamzallari morën 4 mijë eurot, u arrestuan nga policia, e cila edhe ua bllokoi këtë shumë parash bashkë me një shumë tjetër prej 20 mijë lekësh të reja dhe një veturë “Mercedez-Benz”, si dhe dy celularë e një diktofon të përdorur për regjistrimin e bisedës mes “gjobëvënësve” dhe gjobë-paguesit.
#