Rrogozhinë, vëllai vret vëllanë me kallashnikov
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në qytetin e Rrogozhinës, ku vëllai ka vrarë vëllain me kallashnikov brenda në shtëpi. Pëllumb Proshka ka gjetur vdekjen, pasi është qëlluar aksidentalisht me armë zjarri nga i vëllai, Dashnor Proshka. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në banesën e dy vëllezërve, në Lagjen numër 1 të qytetit të Rrogozhinës. Policia lokale e Rrogozhinës tha se tragjedia familjare ka ndodhur brenda banesës së vëllezërve, ku 34-vjeçari Pëllumb Proshka u qëllua aksidentalisht nga i vëllai 39 vjeç, Dashnor Proshka, me armën automatik tip “Kallashnikov”, të cilën ata e zotëronin pa leje. Pak minuta pas krimit policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka kryer arrestimin e autorit Dashnor Proshka, i cili është marrë në pyetje disa orë më vonë, duke treguar se gjithçka ka ndodhur nga pakujdesia, gjatë pastrimit të automatikut pa leje. Tashmë 39-vjeçari do të hetohet për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia dhe të armëmbajtjes pa leje.
#