E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet spektakli, Rally zbulon kampionët e rinj

Rally Albania ka zhvilluar dje garën e tij të radhës, teksa në Voskopojë, në një nga pllajat e kësaj zone, 30 makina fuoristrada dhe 20 motorrë u përballën në një garë të veçantë. Gara e tipit “Dual Track” ishte e para e organizuar në Shqipëri dhe natyrisht, kurreshtja për të ishte jo e vogël. Organizatorët patën zgjedhur Voskopojën për zhvillimin e aktivitetit, duke parë edhe lehtësirat që ofronte kjo zonë për akomodimin e mjeteve. Ka qenë një pistë e gjatë rreth 2 mijë metra ku kanë garuar pilotët. Në fund, Rally njohu edhe disa kampionë të rinj, teksa i përhershmi Renti Sina këtë herë nuk mundi të ishte në krye. Spartak Marku ishte piloti që u rendit i pari në garën me makina 4X4, ndërkohë që pas tij u rendit Dorian Nurka. Këtë herë vetëm vend i tretë për Sinën, kampionin e padiskutueshëm në garat rrugë pa rrugë të organizuara nga Rally Albania. Ndërkohë, për kategorinë e Motorcrosit, fitorja i ka shkuar një piloti finlandez. Mati Natri ka mundur të lërë pas 19 pilotët e tjerë, duke u shpallur ai më i miri.
Gara
Gara e zhvilluar dje në Voskopojë ka qenë vërtetë e veçantë, pasi organizohej për herë të parë në Shqipëri. Ajo ishte e tipit “Dual Track” dhe veçantia qëndronte në ndërtimin e një tuneli për të rritur spektaklin. Po kështu, një tjetër risi ka qenë skualifikimi i drejtëpërdrejtë i pilotëve për të nxjerrë në fund fituesin. Kështu, pjesa e parë ka qenë me nisje individuale, ku çdo garues kishte të drjetë të kryente një xhiro provë dhe dy të tjera me kohëmatje. Këtu kishte rëndësi edhe vëllimi i motorrit, ndërkohë që koha ndikonte direkt në klasifikimin final. Në pjesën e dytë gara vazhdonte me eleminim direkt dhe në të morën pjesë vetëm 16 pilotë, këto të ndara në dy grupe. I pari ishte nga vendi i parë te i teti përsa i përket kohëve të dhëna dhe grupi i dytë ishte pjesa tjetër. Gara me eleminim ka qenë pa kohë dhe me një xhiro të vetme, ku fituesi shpallej ai që kalonte vijën e finishit i pari. Pak a shumë si një garë e Formula 1.
Rally Albania
I nisur në qershorin e vitit 2006 si pasion i njerëzve si Edvin Kasimati apo Julinda Dhamo, tashmë Rally është një nga sportet më të përhapur në Shqipëri. Thuajse në çdo edicion të tij sheh pjesëmarrës të shumtë apo figura VIP, që nuk ngurrojnë të lënë punët e tjera për të garuar në pjesët më të vështira të relievit shqiptar. Garat gjatë këtyre tre vjet e gjysmë kanë qenë të panumërta, ndërkohë që pilotë si Renti Sina për makina apo Klodian Voko për motorrë, kanë qenë gjithnjë emblema e Rally Albania. Në të marrin pjesë çdo vit edhe pilotë nga vende të tjera të Evropës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›