Kthehet zhurma
Edhe pas aksionit të ndërmarrë nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për mbylljen e klubeve të natës, ato po vazhdojnë të jenë problem për banorët.
Banorët kanë vazhduar të adresojnë ankesa në komunë për prishjen e qetësisë publike. Aksioni i 22 gushtit të vitit të kaluar nuk ka çuar shumë peshë te pronarët e klubeve të natës. Ata kanë rifilluar punën e tyre, edhe pse nuk i kanë plotësuar kushtet e paraqitura në Ligjin për rendin dhe qetësinë publike.
Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se edhe pas aksionit të marrë nga ana e komunës, qytetarët prapë kanë filluar të bëjnë ankesa për prishjen e qetësisë publike gjatë natës.
“Kanë filluar prapë të adresohen në komunë ankesa nga banorët për shkak të zhurmës që vjen nga ana e diskotekave dhe kafiterive”, tregon Gashi për Express. Ai thotë se këto ankesa bëhen më së shumti nga ana e banorëve, të cilët banojnë sipër lokaleve. “Edhe pse ne kemi marrë aksion për mbylljen e kafiterive derisa ato t’i plotësojnë kushtet, kjo nuk ka ndodhur.
Ato kafiteri e diskoteka po vazhdojnë punën edhe pa e plotësuar kushtin për izolimin e zërit”, tregon zëdhënësi Gashi për çfarë ai thotë se komuna është e detyruar që prapë të ndërmarrë një aksion të njëjtë sikurse ai i gushtit të vitit të kaluar. “Së shpejti do të dalim në terren dhe të shikojmë se cilat lokale i plotësojnë kushtet që përcaktohen në ligj.
Ato lokale që nuk i përshtaten këtyre kushteve do të mbyllen”, sqaron Gashi. Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, thotë se gjatë javës së fundit policia ka nisur të pranojë telefonata me ankesa të qytetarëve për muzikën e lartë gjatë orëve të vona të nartës.
“E kemi vërejt që gjatë kësaj jave kanë filluar prapë me ankesat lidhur me aksionin që kemi pas para disa muajve me komunën e Prishtinës”, pohon Borovci për Express.
Sipas tij, nëse komuna do të vendosë që edhe njëherë të merr aksion për mbylljen lokaleve që prishin rendin dhe qetësinë publike gjatë natës, policia është e gatshme që të asistoj në përmbushjen e këtij aksioni.
“Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm që të bashkëpunojmë me komunës. Këtë do ta bëjmë edhe kësaj radhe nëse kërkohet”, thotë zëdhënësi Borovci. Në verën e këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte marrë një aksion të përbashkët me Policinë e Kosovës, ku kishte mbyllur lokalet e natës që nuk u ishin përmbajtur lejeve dhe kishin prishur rendin dhe qetësinë publike.
Këshilltarët në Kuvendin Komunal të Prishtinës në njërën nga mbledhjet kanë miratuar ndryshimin e rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së organizatave të biznesit në Komunën e Prishtinës. Me këtë ndryshim lokaleve që janë brenda në qytet, të premten e të shtunën u është lejuar që të punojnë deri në ora 03:00 të mëngjesit, por vetëm pas ta kenë marrë pëlqimin e banorëve të rrethinës. Kurse, lokalet e natës që janë në largësi më shumë se 400 metra nga zonat e banimit, është në vazhdimësi i lejuar që nga ora 20:00 e deri në orën 03:00 të mëngjesit. Përveç izolimit dhe përcaktimit të orarit të punës, kushtet minimale për dhënien e lejeve të punës për këto biznese janë edhe sigurimi i daljeve emergjente, sigurimi i lokaleve nga zjarri, dhe vend-parkingjet.