E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët serbë, ashpërsojnë gjuhën

Partitë serbe janë të ndara rreth pjesëmarrjes në qeverinë e ardhshme. Partia Liberale do të nënshkruajë koalicion qeverisës me PDK’në, derisa Lista e Rada Trajkovicit është kategorikisht kundër hyrjes në qeveri. Nga Express më 16 janar 2011 në ora 12:18

Liderët politikë të serbëve të Kosovës qendrore kanë mendime të kundërta lidhur me dobitë që mund t’i ketë komuniteti serb pas pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit parlamentare të Kosovës.

Ministri në largim i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, nga Partia Liberale Serbe (PLS), tha se “pjesëmarrja masive e serbëve të Kosovës qendrore tregon se ata janë të interesuar të jenë pjesë e shoqërisë kosovare”.

“Unë mendoj se përfaqësimi në institucionet e Kosovës do të jetë më i madh. Ne presim të marrim më shumë resorë pranë institucioneve të Kosovës dhe kjo do të reflektojë mjaft mirë te serbët. Kjo, para së gjithash, lë për të kuptuar se këtu ka vend për serbët dhe se ata mund të jenë pjesë e shoqërisë kosovare. Përmes kësaj infrastrukture, përmes institucioneve, ndërmarrjeve publike, mund të gjejmë dhe të mundësojmë një numër të caktuar të vendeve të punës, si dhe t’u japim njerëzve pak shpresë”, ka thënë Rasic për Europën e Lirë.

Ai tha se tani është momenti i duhur që të nisë një rrugë e re e zhvillimit të bashkësisë serbe dhe krijimit të mundësive të qëndrimit të saj në këto hapësira.

Por, politikanja nga Graçanica, Rada Trajkovic, përfaqësuese e Listës së Përbashkët Serbe, vlerëson se me daljen në zgjedhje, bashkësia serbe nuk do të ketë dobi ashtu siç ka pritur, për shkak të, siç e quajti ajo, procesit zgjedhor joreal dhe rezultatit të imponuar.

“Përfundimisht kështu do të jetë për shkak se, para së gjithash, do të jetë Partia Liberale Serbe ajo, e cila, ashtu sikurse edhe deri më tash në Kuvendin e Kosovës, nuk lufton për mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e popullatës serbe. Unë para së gjithash do ta quaja atë tender-parti”, ka thënë Trajkovic.

Sipas saj, të gjitha projektet e ndërtimit, të cilat ka mundur t’i realizojë kjo parti derisa ishte në pushtet, kanë qenë projekte që i kanë udhëhequr, sipas saj, njerëzit e afërm të personaliteteve në pushtet.

Të dy këta liderë serbë vlerësojnë se zhvillimet e fundit lidhur me parregullsitë në zgjedhje si dhe raporti i Dick Martyt po reflektohen edhe te komuniteti i tyre.
Rasic tha se serbët me vëmendje janë duke ndjekur dhe pritur raportet, sidomos atë të Martyt, i cili këto ditë pritet t’i prezantohet Këshillit të Europës. Ndërsa Trajkovic tha se, pavarësisht vonesave në formimin e institucioneve të Kosovës, për shkak të përsëritjes së votimeve në disa qendra, ajo është e kënaqur me reagimet për parregullsitë e shënuara gjatë procesit zgjedhor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›