Ndarje e pabarabartë
Ndarja e shujtave mujore në mënyrë retroaktive për shërbyesit civilë po del se është ndarë në mënyrë të padrejtë. Derisa në shumicën e agjencive buxhetore pagesa e shujtës është bërë prej 44 euro në muaj, drejtuesit e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave kanë dhënë së paku nga 55 euro në muaj për punëtorët e kësaj ministrie. Ndarja jo e njëjtë e parave edhe për shujta ka bërë që punëtorët të ndihen keq, kurse sindikalistët e kanë quajtur të padrejtë këtë dallim.
Në fakt memorandumi i mirëkuptimit mes Sindikatës së Shërbyesve Civilë dhe Qeverisë së Kosovës është arritur më 10 mars të vitit 2010, ku është paraparë shujta, rritja e pagave për 20 për qind, sigurimi i transportit dhe përgjithësisht plotësimi i kushteve për avancimin e statusit të shërbyesve civilë.
Nga të gjitha këto, së paku shujta është dhënë retroaktivisht për 9 muaj në fund të vitit 2010, por edhe kjo nuk është bërë në mënyrë të barabartë për të gjithë punonjësit.
Pagesën më të madhe të shujtës në MEM e konfirmon për Kosovapress edhe drejtori për informim i kësaj ministrie, Naim Zeqiri, i cili arsyetohet se pagesat janë bërë sipas memorandumit të mirëkuptimit.
“Shujta mujore ka qenë 55 euro, sepse është llogaritur mesatarja e ditës për punë 2.5 euro. Ministria e ka bërë vetë vlerësimin, sepse kjo lejohet edhe me memorandumin e arritur më 12 mars të vitit 2010”, ka thënë ai. Mirëpo, të tjerat ministri nuk kanë paguar shujtën prej 55 euro dhe kjo pabarazi e ndarjes së parave edhe për ushqim ka bërë që punëtorët të ndihen keq. “Është mirë që na e kanë paguar shujtën, por ka dallime në pagesa, pasi disa nga kanë marrë më shumë para. Mendoj se për ushqim nuk duhet të ketë këso dallime dhe kjo është padrejtësi që bëjnë disa nga ministritë e caktuara”, flet një shërbyes civil në kushte anonimiteti. Ndërkaq, pagesë më e vogël se në MEM është bërë për punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm në këtë ministri, Hajzer Salihu thotë se pagesa prej 44 euro është bërë duke respektuar memorandumin e mirëkuptimit.
“Në fakt ekziston një memorandum i mirëkuptimit mes Sindikatës së Shërbyesve Civilë dhe Qeverisë së Kosovës, ku parasheh që gjithë shërbyesve civilë t’u ndahen shujtat prej prillit të vitit 2010 dhe ne kemi ndarë pagesat konform atij memorandumi. Shuma e përafërt ka qenë 44 euro për muaj”, bëri të ditur Salihu. Edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Ekonomisë dhe Financave shujtat për punëtorë është bërë prej 44 euro në muaj, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Administratës Publike (MAP), Visar Xani, ka thënë për Kosovapress se pagesa për shujta ka qenë dashur të jetë 44 euro dhe jo më shumë.
Dallimet në pagesat për shujta i ka konsideruar të padrejta edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ndue Kalaj, i cili tha se, edhe pse nuk është përcaktuar saktë në memorandumin e mirëkuptimit, shujta duhet të jetë e njëjtë për të gjithë punonjësit. Ndryshe, pagesa e shujtës për 9 muaj të vitit 2010 në mënyrë retroaktive për rreth 20 mijë shërbyes civilë ka pasur kosto milionëshe për buxhetin e Kosovës. Ndërsa prej janarit të këtij viti, shërbyesit civilë ashtu edhe punonjësit nëpër sektorë të tjerë do të marrin pagat me rritje.