E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm 6 mijë kërkesa në Komunë

Afati për legalizim të objekteve ka përfunduar. Ata që nuk kanë aplikuar, le ta harrojnë legalizimin. Këtij procesi do të mund t`i futen vetëm 6 mijë e 134 kërkesa të bëra nga qytetarët. Sipas Iniciativës Qytetare për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinës, numri i objekteve pa leje ka kaluar mbi 10 mijë. Nga Lirita Halili më 16 janar 2011 në ora 10:45

Gjithçka ka përfunduar. Asnjë nga qytetarët që kanë një objekt pa leje nuk mund të mbajnë shpresë më në legalizimin e tij. Afati i fundit për aplikim ka skaduar. Ishte nata e Vitit të Ri shpresa e fundit për ata që kanë ndërtuar pa lejen e komunës.

Askush më nuk ka të drejtë të shkojë në sportelet e Komunës së Prishtinës dhe të dorëzojë dokumentet për legalizim të një objekti pa leje. Afati i fundit për këtë ishte 31 dhjetori i vitit të kaluar. Tash, të gjithë ata që kanë aplikuar duhet të presin. E njëjtë do të bëjnë edhe ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, e që kanë një objekt pa leje. Por, këta të fundit do të presin vendimin e komunës se çfarë do të bëhet me objektin e tyre.

Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se të gjitha kërkesat e bëra deri më 31 dhjetor tashmë i janë dërguar Sektorit të Legalizimit, i cili do të merret me seleksionim.

“Tash do të bëhet seleksionimi i kërkesave, cilat janë për legalizim të objekteve të vogla të banimit, cilat për objekte kolektive dhe cilat për biznese”, sqaron Gashi për Express.

Ai ka treguar edhe shifrën e personave që kanë aplikuar e që kanë të drejtë të hyjnë tashmë në fazat e tjera. “Këtij seleksionimi të procesit të legalizimit të objekteve pa leje në Komunën e Prishtinës do t`i hyjnë gjithsej 6 mijë e 134 kërkesa të bëra nga qytetarët”, pohon zëdhënësi Gashi.

E më pas, sipas tij, i njëjti sektor ka për detyrë të përpilojë listën komplete, e cila do të publikohet në tabelën e komunës si edhe në faqen e internetit.

“Pas përpilimit të listës do të gjenden format që të kontaktohen palët që kanë bërë kërkesa për legalizim, me qëllim që të kompletohen të gjitha dokumentet”, tregon Gashi.

Kjo, sepse, sipas tij, me qëllim të zhvillimit më pozitiv të projektit, shumë qytetarëve u janë pranuar dokumentet pa i pasur të kompletuara.

Kur e tëra kjo procedurë të përfundojë, sipas Gashit, me legalizimin do të merren ekspertët e fushave përkatëse. Sipas tij, faza e tretë do të jetë përfundimtare dhe të gjithë ata që i plotësojnë kushtet do t’i marrin dokumentet se mund të legalizohen.

“Por, kjo do të bëhet përfundimisht pasi të paguhen këstet, sipas plotësimit të Rregullores për ngarkesa dhe tarifa komunale, e cila është plotësuar nga Kuvendi Komunal gjatë vitit 2010”, ka pohuar Gashi.

E përveç qytetarëve që kanë dorëzuar dokumentet në Komunën e Prishtinës, të tjerët le ta harrojnë legalizimin. Kjo sepse, sipas zëdhënësit Gashi, ato objektet që janë të ndërtuara pa leje e që nuk kanë kërkuar legalizimin e tyre e kanë humbur të drejtën e legalizimit.

Megjithatë, përveçse e dinë numrin e aplikuesve për legalizim, Komuna e Prishtinë nuk është e vetëdijshme se edhe sa objekte tjera janë të ndërtuara pa leje, e që nuk janë paraqitur fare përgjatë kësaj fushate.

E përkundër komunës, është dikush tjetër që është kujdesur për këtë çështje. Sipas disa statistikave të nxjerra nga Iniciativa Qytetarë për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinës, del se numri i objekte pa leje, të ndërtuara në kryeqytet, ka kaluar mbi 10 mijë.

Sipas kësaj iniciative, në krejt kryeqytetin janë të ndërtuara pa leje prej 10 deri në 12 mijë objekte. E përveç kësaj shifre, kjo iniciativë që nga fillimi ka kundërshtuar në mënyrë kategorike procesin e legalizimit të objekteve pa leje, me arsyetimin se mungon Ligji për legalizim.

Procesi i legalizimit të objekteve pa leje në këtë komunë është ndërmarrë ende pa u miratuar Ligji për legalizim. Ai ka nisur në shtatorin e vitit të kaluar, disa ditë pas incizimit satelitor të territorit të komunës së Prishtinës. E prej asaj kohe askush nuk i ka parë këto fotografi, përveç zyrtarëve komunalë. Edhe pse ata kanë premtuar se “Ortofoto” e Prishtinës do të bëhet publike për qytetarët, kjo nuk ka ndodhur.

E pos mospublikimit të fotografimit satelitor, duke mos qenë të kënaqur me numrin e aplikuesve për legalizim, Komuna e Prishtinës është detyruar që ta shtyjë afatin e aplikimit. Në fillim kjo fazë ka qenë e paraparë të përfundojë më 31 tetor 2010, por pastaj ky afat është zgjatur deri më 31 dhjetor të të njëjtit vit.

Sidoqoftë, përveç aplikimit, qytetarët duhet edhe të paguajnë për legalizim. Kur të përfundojnë të gjitha fazat e procesit, shtëpitë të cilat i plotësojnë kushtet për t’u legalizuar, duhet të paguajnë nga 10 euro për metër katrorë. Ndërkaq, për banesat kolektive e bizneset tjera çmimi ndryshon.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›