“Sa më shpejt dialogun për viza me Kosovën”

Udhëtimi pa viza dhe statusi i Kosovës janë dy çështje të ndara dhe hezitimi i disa shteteve për t’i liberalizuar vizat me Kosovën ka të bëjë me frikën nga imigrimi ilegal, thotë analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Aleksandra Shtiglmajer.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shtiglmajer thotë se nëse BE-ja do që të jetë kredibile, duhet të hapë sa më shpejt dialogun për viza me Kosovën.
“Në nëntor Komisioni Evropian njoftoi se do të hapë dialogun për vizat së shpejti. Së shpejti nënkupton në njërën nga këto ditë. Pastaj, si hap i ardhshëm, Komisioni do të duhej t’ia dorëzonte Kosovës shumë shpejt udhërrëfyesin e vizave, që i rendit në mënyrë të saktë të gjitha kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë, për të siguruar regjimin e lirë të vizave. Është e rëndësishme që këto kushte të jenë të njëjta me ato që i kanë marrë 5 shtetet tjera të Ballkanit dhe që Kosova të mos konfrontohet me kushte shtesë dhe të reja”, tha ajo.