E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ktheni kokën prapa!

Pashë filmin e përgatitur nga Televizioni Publik Shqiptar, me skenar të Tomor Alikos dhe Esat Telitit dhe regji të Esat Telitit, shfaqur në mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ku ishin të pranishëm bashkëvuajtës të regjimit komunist dhe qytetarë të tjerë të Tiranës dhe Shqipërisë që, nëpërmjet kuadrove të këtij filmi, u njohën me tmerret e ushtruara nga regjimi komunist gjatë ekzistencës së tij të gjatë. Në këtë shfaqje filmi nuk munguan me praninë e tyre edhe funksionarë të lartë të shtetit shqiptar si, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, deputetë, përfaqësues të administratës shtetërore, ambasadorë dhe të tjerë.

Në të vërtetë, filmi ishte shumë dinjitoz dhe për këtë duhen falënderuar krijuesit e tij. Nuk e di çfarë mendimi kanë të tjerët, por unë personalisht i falënderoj ata, se nëpërmjet tij na zgjuan emocionet e atyre ditëve të hidhura që kemi kaluar nëpër tmerret e gjenocidit komunist.

Personalisht, i përkas një familjeje që ka qenë e lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Dy motrat e mia kanë qenë pjesëmarrëse të lëvizjes guerile në kryeqytet, dy djemtë e hallës partizanë dhe gjithë fisi i nënës me Partinë Komuniste. Deri në vitin 1951 edhe unë, si shumë të tjerë, kisha mësuar në shkollë dhe kudo se nacionalizmi shqiptar ishte vënë në shërbim të pushtuesit, se udhëheqësit e tij ishin si personazhet e filmit “I teti në bronz” dhe si të tillë duheshin dënuar pa mëshirë.

Fati e pruri që në moshën 15-vjeçare të përfundoja në burg për agjitacion e propagandë. Atje pata fatin të mësoja se Shqipëria kishte pasur një histori ndryshe nga ajo që më kishin servirur komunistët. Atje u njoha me ata burra të rrallë që filmi m’i ngjalli përsëri para syve të mi. M’u ngjallën Padre Mëshkalla dhe Gjon Shllaku, Xhevdet Kapshtica dhe Isuf Hysenbegasi, Fatosh Kokoshi dhe Meçan Hoxha, Haki Karapici dhe Fiqiri Llagami. M’u ngjallën të rinjtë Burim Kokoshi dhe Klito Lamaj, Matish Çefa dhe Ndoc Ljarja, Tanush Frashri dhe Ethem Bakalli, Skënder Dinia dhe Sulejman Dizdari. Ishin pikërisht këta që më brumosën me idealet demokratike perëndimore.

Kështu, edhe unë ndryshova. Fillova ta shoh Shqipërinë nën një prizëm tjetër, nën prizmin me të vërtetë patriotik dhe nacionalist. Kështu që e ndiej veten të zhgënjyer sot, kur themi se po ndërtojmë shoqërinë kapitaliste, por në të vërtetë, përdorim po ato metoda të sistemit komunist të përdorura për gati një gjysmë shekulli. Një veprim i tillë më duket shumë absurd.

Si mund të ndërtohet kapitalizmi nga po ata që u bënë varrmihësit e tij? Është fakt që ata sot kanë kapur majat më të larta të shtetit shqiptar. Mafia e tyre sundon politikën shqiptare. Nga dita në ditë po shtohen zërat në mbrojtje të së kaluarës së zezë dhe të lënies në harresë të krimeve të ushtruara nga regjimi komunist. Karta e këtyre krimeve, së bashku me atë të të përndjekurve politikë, po përdoret si barkë shpëtimi për pushtetarët.

Një gjë e tillë ka dalë në skenë kohët e fundit. Krahë të ndryshëm të politikës po përdorin pjesë të të përndjekurve politikë për arritjen e qëllimeve të tyre. Për këtë përdorin të ashtuquajtur të përndjekur, që në të vërtetë nuk kanë asnjë lidhje me ta ose i kanë mbetur dikur borxh sistemit komunist dhe tani ai i shfrytëzon për të shlyer këtë. Do u sugjeroja politikanëve shqiptarë që të heqin dorë sa më parë nga të tilla fundërrina, pasi një gjë e tillë jo vetëm që nuk i nderon, por e ul më tepër personalitetin e tyre. Një këshillë të tillë do të doja t’ua jepja edhe përfaqësuesve të shtypit të shkruar dhe atij viziv që nuk lënë rast pa mbushur faqet e informacionit të tyre me të tilla figura të diskredituara.

Pamjet e filmit të shfaqur na bëjnë thirrje që t’u drejtohemi pushtetarëve dhe t’i pyesim: “A jeni me të vërtetë të vendosur për të zbuluar krimet e komunizmit?” Atëherë veproni. Në Gjermaninë e pasluftës deri pas viteve shtatëdhjetë, nëpër shkolla nuk studiohej Hitleri dhe periudha e nazizmit. Kjo bëhej me qëllim që nga kujtesa e popullit të zhdukej ajo periudhë e errët. Po te ne çfarë po ndodh? Çdo ditë e më tepër lakenjtë e komunizmit janë vënë në garë se kush më tepër do të shkruajë për “bëmat” e atij sistemi.

Zoti President! Ju e patë filmin. Mos harroni se të rënët e atij filmi kurrë nuk do t’jua falin dekorimin e vrasësve të tyre. Nuk do t’jua falin edhe emërimet e gjykatësve që i kanë dënuar apo pushkatuar. Kjo është një fyerje e kujtimit të tyre të paharruar. Këtë mos e harroni. Kemi pasur besim se te ju vendi gjeti më në fund njeriun e duhur. Nuk besojmë se kjo është iniciativa juaj. Shikoni ata që keni rrotull, sepse, me sa kuptojmë ne, po ju helmojnë ngadalë e ngadalë, pa e kuptuar edhe juv.

Zonja Kryetare e Kuvendit! Ju jeni e shtresës sonë dhe duam që të jeni zëdhënësja jonë. Ne jemi krenarë që në krye të Kuvendit është një përfaqësuesja jonë. Por kemi të drejtë të kërkojmë që edhe ju të jeni më afër nesh. Ne përshëndesim iniciativat tuaja në drejtim të zhdukjes së pasojave të regjimit komunist, por duam që edhe ju të konsultoheni me ne për rrugët që duhen ndjekur. Besoj se kjo do ta ngrejë më lart figurën tuaj.

Zoti Kryeministër. Përshëndesim iniciativat tuaja në drejtim të shtresës sonë. Por, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje se është në dorën tuaj lufta për çrrënjosjen e mentalitetit komunist nga jeta shoqërore e Shqipërisë. Mjafton të zbatoni rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të viteve 1996 dhe 2006 si dhe rezolutën e Parlamentit shqiptar për “Zhdukjen e pasojave të regjimit komunist” dhe do të shihni se çdo gjë do të shkojë për së mbari. Nuk e kuptojmë përse po zvarritet zbatimi i tyre? Po të jetë vullneti i mirë, gjithçka zgjidhet më së miri.

Më falni nëse fola pak si ashpër! Por ishin sekuencat e atij filmi të paharruar që më ngjallën këto ndjenja. Ne i kemi përjetuar vetë ato ngjarje dhe nuk mund t’i harrojmë kurrë. Neve na dhemb zemra për këtë vend dhe duam ta shohim sa më parë të shkëputur nga e keqja që e ka mbërthyer. Tani jemi në moshën e pleqërisë dhe duam të kemi edhe ne fatin ta shijojmë atë ditë, kur të shohim atdheun të shkëputur njëherë e përgjithmonë nga kthetrat e komunizmit. Ndaj ju themi me zërin lart: “Ktheni kokën prapa”!

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›