E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata reagon: Anomalitë e Pangos

Sindikata e Artistëve ka reaguar dje mediatikisht ndaj ministrit të Kulturës, në lidhje me studim-draftin për institucionet e kulturës, duke u shprehur se nuk është prapavijë politike, por ego e vetë ministrit, si lidership. Ndërsa pasdite, ministri Pango u është përgjigjur për të zbutur tensionin, që artistët të mos nxitohen me peticione, pasi është vetëm një studim-draft, ku do të konsiderohen sugjerimet e tyre

Sindikata reagon: Anomalitë e Pangos

Ndonëse Sindikata e Artistëve ka marrë përgjigje negative nga Ministria e Kulturës për sugjerimet e saj për studim-draftin e Teatrit, e shoqëruar gjithashtu dhe nga diversioni se komuniteti i artistëve të Teatrit është i fryrë - dje ata nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre. Kanë marrë mediat për të vënë sërish gishtin në problemet e ngritura mbi studim-draftin e propozuar nga ministria - aty ku Pango akuzohet se po shfrytëzon postin e tij prej lidershipi, për t’iu imponuar komunitetit të artistëve.

Duke qenë të sigurt se çdo përgjigje që vjen nga Ministria e Kulturës nuk ka prapavijë politike, kryetari i Sindikatës, aktori Mirush Kabash, është shprehur dje se ministri po shfaq lapsuse dhe anomali në lidhje me studim-draftin për institucionet e kulturës.

“Është një ego e Pangos vetë, që të duket si lidership, dhe nuk ka prapavijë politike në këto çështje që po diskutojmë. Ne nuk kemi interesa personale”, - ka thënë dje Kabashi. Krijimi i bordit artistik nga Ministria e Kulturës, si dhe zgjedhja e drejtorit artistik po me vendimin e Ministrit- janë konsideruar si dy lapsuset më të rënda të studim-draftit, ku komuniteti artistik nuk përmendet asnjëherë.

Kabashi, duke iu referuar reagimit arrogant të ministrisë, tha se për këto çështje kanë bërë tentativë për t’i zgjidhur brenda vetes, por duke u kthyer së fundi në një shqetësim madhor, ku projekti zvarritet prej 4 muajsh, dhe ndërrohen shpesh emrat që drejtojnë grupin e punës, kanë qenë të detyruar që t’i drejtohen ministrit mediatikisht, përmes peticionit.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh, ku kokëfortësia për t’u shtruar në tavolinë për të debatuar e degradon problemin në deklarata mediatike e peticione. Ndërkohë që artistët rebelimin e tyre e kanë dhe nga emrat që po punojnë në grupin e punës, të cilët janë anonimë për të marrë përsipër çështjet ligjore të institucioneve të kulturës. Ironia e djeshme e artistëve është përballur me faktin se një balerinë, apo një muzikant nuk mund të drejtojnë anën ligjore të Teatrit, siç është përgatitja e projekt-draftit, ku asnjë nga emrat e artistëve të njohur nuk është në atë grup pune.

Javën që shkoi drejtori i kabinetit të ministrit, Flamur Shehu, ka qenë i deleguar për t’iu përcjellë Sindikatës së Artistëve arsyet pse Pango nuk i merr parasysh sugjerimet e tyre. Në mënyrë krejt të papritur doli që përgjigjen ministri ua kishte dhënë artistëve përmes Drejtorisë së Teatrit Kombëtar. Kur dje, kryetari i sindikatës, Mirush Kabashi, tha se organizimi i tyre njihet ligjërisht, dhe se nuk është bashkimi profesional i dikurshëm, ku delegoheshin urdhrat nga drejtoritë e institucioneve. Me këtë kryetari i sindikatës tha se Pango nuk ka marrë asnjëherë kontakt të drejtpërdrejt me to, jashtë institucionit të Teatrit Kombëtar, si pjesë e mekanizmit politik.

“Ministria e Kulturës me letrën e saj të dërguar në Drejtorinë e Teatrit Kombëtar nuk na është drejtuar ne si sindikatë, që njihemi të pavarur ligjërisht, por Teatrit Kombëtar. Ministri duhet ta marrë vesh se sindikata nuk është bashkime profesionale të dikurshme”, - tha Kabashi.

Ndërsa, pas debatit mbi bordin dhe drejtorin artistik, një çështje tjetër delikate e kundërshtuar nga komuniteti i artistëve është absurditeti i vlerësimit të artistëve sipas kategorive. Aktori Roland Trebicka është rebeluar duke thënë se nuk është ministri, i cili jep kategoritë e artistëve. Shpërblimi i artistëve sipas kategorisë, për rol të parë apo episodik, është hedhur poshtë duke u kundërshtuar në mënyrë kategorike, pasi teatri është një institucion mjeshtrash dhe jo, fjala vjen një magazinë domatesh.

Me këtë lidhet edhe problemi i shpërblimit financiar, duke shtuar këtu dhe një tjetër kundërshti të njohur prej aktorëve - për shkurtimin e vendeve të punës.

Aktori Roland Trebicka tha se shënimi në studim-draftin e ministrisë për shkurtimin e artistëve, dhe shpërblimin e tyre sipas kategorisë, është një lojë numrash që artistëve u duhet thënë më hapur nëse s’ka lekë për teatrin. Devijancën që ka pësuar Ministria e Kulturës duke iu kushtuar më shumë turizmit, duket se efektet janë ndjerë më shumë në mbështetjen financiare, që edhe para disa ditës drejtorit i Operës, Zhani Ciko, ka përsëritur të njëjtat kërkesa si sindikata për të mbrojtur institucionin e kulturës. Ndonëse është vetëm një projekt studimi, para disa kohësh Ministria e Kulturës ka ndërhyrë në bordin e Operës, duke u konsideruar dje nga artistët e sindikatës si një eksperiencë e hidhur, ku ministria tregoi dështimin, duke ndërhyrë në çështjet e krijimtarisë në institucionin kulturor.

Pra, ajo që ka diktuar gjithë këto ditë Sindikata e Artistëve ka qenë centralizimi i kompetencave artistike në duart e ministrisë. Kjo artistëve u ka kujtuar diktaturën, ku veprat krijoheshin dhe viheshin në skenë me porosi nga lart. U duhet vënë veshin në këtë rast artistëve, që e njohin mirë regjimin e kaluar, pasi veç sindroma e tyre nga diktatura u ka mprehur shqisën për të ndjerë menjëherë kur u vjen rreziku i përqendrimit të pushtetit në një dorë, dhe në krijimtarinë artistike kjo duket manipulim akoma më i rrezikshëm.

Pango: Artistët të mos nxitohen me peticione

Në përgjigje të peticionit dhe të ankesave të disa prej anëtarëve të Sindikatës së Artistëve, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ylli Pango, deklaron se: Drafti i reformës për institucionet artistike dhe kulturore është punuar nga një grup pune me përfaqësues të MTKRS-së, të gjithë drejtuesit e institucioneve artistike etj.

Ministri është duke e shqyrtuar draftin, i cili e theksojmë është ende draft, dhe ende se ka dhënë mendimin për të. I sugjerojmë përfaqësuesve të Sindikatës së Artistëve të kenë durim dhe të mos nxitohen të bëjnë peticione dhe deklarata për drafte ende të papërfunduara. Me respekt!

Prof. dr. Ylli Pango

Ministër i TKRS-së

MTKRS, deklarata ku hedh poshtë pretendimet e Sindikatës së Artistëve së TK-së

MTKRS sqaron se drafti i reformës është diskutuar me të gjitha pikat e saj me drejtorët e institucioneve të varësisë dhe Sindikatat e Artistëve. Titullarët e institucioneve, pjesë e reformës, kanë firmosur draftin e kësaj reforme, duke shprehur dhe vlerësuar bashkëpunimin me grupin e punës të MTKRS. Po sot, drejtorëve të institucioneve dhe Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, u është dërguar një shkresë zyrtare për t’u takuar dhe diskutuar me grupin e punës së MTKRS, për të dhënë sugjerimet dhe vërejtjet e tyre mbi draft-propozimin, por asnjë përfaqësues i sindikatës nuk ka qenë i pranishëm.

1. Një ditë me parë Sindikata e Artistëve të Teatrit Kombëtar ka publikuar në median e shkruar një peticion ku problem kryesor ka qenë zgjedhja e Bordit Artistik, ku sipas Sindikatës së Artistëve bordi zgjidhet nga Ministri i Kulturës, gjë që nuk është e vërtetë, pasi Bordi propozohet nga drejtori përkatës i institucionit, i cili është dhe kryetar i tij, pasi merr në konsideratë dhe pretendimet e komunitetit të artistëve dhe më pas ministri miraton kandidaturat.

2. Pika e dytë, e cila është keqinterpretuar nga Sindikata e Artistëve të TK-së është dhe zgjedhja e Drejtorëve Artistikë. Grupi i punës i kësaj reforme sqaron se: kandidaturat për këtë post propozohen nga drejtori i përgjithshëm i institucionit në bazë të disa kritereve të propozuara nga bordi propozon 1 ose 2 kandidatura dhe Ministrit bën vetëm miratimin e njërës nga kandidaturat.

3. Sipas vendimit te Këshillit të Ministrave nr. 432, dt 28.06.2006 ( për krijimin dhe administrimin e të ardhurave që krijohen nga institucionet buxhetore përcaktohet se: të ardhurat që institucionet buxhetore realizojnë nga veprimtaria e tyre kryesore dhe nga afrimi i shërbimeve ndaj të tretëve trajtohen si të ardhura publike dhe derdhen në buxhetin e shtetit. Në këtë udhëzim në pikën 1/a pika 2 përcaktohet që këto të ardhura derdhen 100% në buxhetin e shtetit.

4. Pikërisht për këtë, në këtë draft është parë e nevojshme që ndryshimi i kapitaleve fizike të tyre, arkivave, literaturës, shitje të biletave dhe ambientet e dhëna me qira, është menduar dhe propozuar në këtë draft që 60% t’u kalojë institucioneve dhe 40 % shtetit.

5. Njëkohësisht Drejtorët e Përgjithshëm të këtyre institucioneve kanë të drejtë të rizgjidhen në këtë post për një mandat të dytë duke iu nënshtruar mënyrës së përzgjedhjes (me konkurs) nga një komision i përzgjedhur nga MTKRS,Komisioni parlamentar përkatës dhe dy kandidaturat më të vlerësuara (6 muaj përpara mbarimit të mandatit të parë) i paraqiten ministrit, i cili zgjedh njërin nga ato dhe ia paraqet Kryeministrit për miratim.

6. Pozitive është se në këtë draft të ri është menduar që artistët, koristët, valltarët dhe të instrumenteve frymore t’u bëhet e mundur dalja në pension në moshën 50-55 vjeç. (ulja e moshës së pensionit)

Kundërshtimet dhe sugjerimet e Sindikatës së Artistëve

Pas një diskutimi me përgjegjshmëri të lartë nga i gjithë komuniteti i artistëve mbi studim-draftin nr. 2 për Reformat Ligjore e Institucionale, të mbledhur në datë 24 qershor 2008, konkluduam si më poshtë.

a) Ky studim-draft, në krahasim dhe me Ligjin në fuqi, jo vetëm që nuk korrigjon, por vendos në varësi të plotë, drejtimin dhe menaxhimin e Institucioneve Artistike nga politika personale dhe subjektive.

b)Ky studim në thelb centralizon në mënyrë të tejskajshme veprimtarinë krijuese të Institucioneve Artistike.

c)Politizon krejtësisht veprimtarinë e Institucionit, duke na imponuar praktika të sistemit të kaluar.

1)Argumentojmë: Në Studim-Draftin e ri kërkohet që Bordi Artistik i drejtimit të Institucioneve tona të propozohet dhe vendoset nga Ministri i Kulturës. Drejtori Artistik vendoset nga Ministri i MTKRS-së dhe drejtori i Përgjithshëm i Institucionit propozohet nga ministri përkatës dhe vendoset nga Kryeministri.

Duke qenë të ndërgjegjshëm që institucioni ynë është në varësi të MTKRS-së, kemi shprehur dhe shprehim mirëkuptimin e plotë për procedurën politike të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, por nuk arrijmë të kuptojmë, në mungesë totale të argumenteve të Studim-Draftit të paraqitur se si dhe pse, dy organizmat e tjera artistikë (Bordi Artistik dhe Drejtori Artistik) duhet të zgjidhen apo qoftë të kenë dhe miratimin e ministrit të Kulturës.

Praktika e propozuar cenon në mënyrë të hapur parimin e pavarësisë së drejtimit krijues artistik në institucionet qendrore të artit skenik. Në kuadër të demokratizimit dhe decentralizimit të institucioneve qendrore të artit skenik si dhe të përmirësimit të ligjit mbi artin skenik, jemi të mendimit që: Bordi Artistik si dhe Drejtori Artistik si dy organizma thellësisht profesionalë, të propozohen nga drejtori i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar si dhe të votëbesohen nga Komuniteti Artistik, në bazë të kritereve të mirëpërcaktuara paraprakisht.

2. Trupa artistike

a) Kundërshtojmë në mënyrë të prerë propozimin e pamotivuar për rritjen e veprimtarive artistike duke shkurtuar numrin e artistëve si dhe mbështetjen financiare nga MTKRS-ja.

b) Sërish kundërshtojmë pretendimin absurd të Draftit në fjalë për vendosje përqindjesh në përcaktimin e kategorive të artistëve, si një propozim sa të paargumentuar, aq dhe naiv e aprofesional.

c) Kundërshtojmë çdo cenim të kontratës kolektive të punës të nënshkruar tashmë midis MTKRS-së, dhe Sindikatës së pavarur si një veprim antiligjor.

Duke pasur parasysh:

-Injorimin permanent dhe të papërgjegjshëm që lidershipi i MTKRS-së i ka bërë mendimit krijues e profesional të Komunitetit të Artistëve të Teatrit Kombëtar, jemi të detyruar që të ripërsërisim qëndrimin tonë të datës 12/03/08.

-Jemi të vendosur deri në fund të luftojmë për zbatimin e parimeve të sipërpërmendura, të cilat sigurojnë sovranitetin dhe demokratizimin e Institucionit të Teatrit Kombëtar si dhe parimin kushtetues që e përcakton Artin dhe Kulturën si veprimtari thellësisht të depolitizuar e në shërbim të Popullit dhe Kombit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›