Takimi;Ministri Alibeaj takim me homologen kosovare, Kelmendi
Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, znj. Nekibe Kelmendi, në kuadër të themelimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, zhvillon një vizitë pune 2-ditore në Tiranë. Znj. Kelmendi, sipas burimeve nga institucioni i drejtësisë, do të vijë në Tiranës së bashku me ministrin e Shërbimeve Publike z. Arsim Bajrami. Takimi i tyre i parë është planifikuar me ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, z. Enkelejd Alibeaj. Ky takim do të zhvillohet sot në Ministrinë e Drejtësisë. Vizita e dy personaliteteve ka si qëllim huazimin e përvojave në fushën e gjyqësisë kushtetuese dhe familjarizimit me kuadrin normativ relevant për institucionin e Gjykatës Kushtetuese. Ministrja e Drejtësisë, znj. Nekibe Kelmendi, dhe ministri i Shërbimeve Publike, z. Arsim Bajrami, gjatë kësaj vizite do të priten nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Kryeministri, ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Vladimir Kristo dhe nga disa anëtarë të Gjykatës së Lartë. Z. Bajrami është një konstitucionalist i njohur në Kosovë dhe ka kontribuar në përgatitjen e Kushtetutës së re. Për këto arsye, me vendim të posaçëm të qeverisë së Kosovës, Z. Bajrami në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë është ngarkuar të ofrojë kontributin e tij edhe në themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.