Muhabet me rima për këpucët me vrima
Nëse nuk di çfarë të bësh, pyet! Nëse nuk mund ta bësh, mësoje! Jo ne, por as Jezu Krishtit nuk do i kish besuar njeri, nëse pas fjalëve Ngrihu Llazar, Llazari nuk do të ringjallej, siç dhe ne shpresojmë, jo krejt pa shpresë, të ringjallet kjo shoqëri e të zgjohen këta njerëz, të cilët, për ta mbyllur si për pragfestë, po i përshëndes sërish me një poet, shqiptar e jo të huaj, që na kujton se dhe pas kaq kohësh këpucët na fusnin ujë.
Arian LEKA
1.
Dy dilemave, “Të jesh a të mos jesh” dhe “Të jesh apo të kesh”, duket se i ka ardhur koha t’i shtohet edhe një e tretë, që vjen drejtpërsëdrejti në adresë të shoqërisë sonë. Ajo i thadrohet asaj si epigram mu në ballë: “Të thuash apo të bësh?”
Mjaft të vëresh mënyrën plot nerv, pasion e tension me të cilin bisedojmë në tri tryezat tona për problemet dhe vakitë që na ndodhin çdo ditë - në tryezat prej plastike të kafeneve, në tryezat prej letre të gazetave dhe tryezat prej xhami të televizioneve - , që të të mbushet mendja se kjo shoqëri ka individë të shqetësuar për fatin e saj, ka edhe një shoqëri të interesuar që dikush të flasë në emër të kësaj shoqërie, që pyet për Quo vadis?, që nuk është ujë i fjetur, por gjithashtu e shqetësuar për vetveten.
Kështu duket, por jo çdo gjë është sikundër duket. Ajo që shfaqet është vitrina, fasada, këndi i emulacionit dhe bufonada. Sepse pas gjithë atyre takimeve në ringjet plastike, prej letre apo xhami, ku të mbushet mendja sërish se u zgjidhën hallet ose po bëhet nami, pas nervozizmit, bjerrjes së etikës, kanosjes, trashjes së zërit dhe gjetjes së fajtorit, gjithmonë anonim dhe hipotetik, mbi ne të gjithë bie befas muzgu. Si duket, Salvatore Quasimodo e paskësh taksur për ne vargun Ed é subito sera... Sepse befas të gjithë i lënë aty ku i gjetën debatet, ndeshjet, përleshjet, dialogët e marrëveshjet dhe nisen qetë-qetë secili në qejf të vet, mbyllen në shtëpi, në zyrë, në dugajë, në makinë të vet e në internet, thua se nuk ka ndodhur gjë, thua se gjithçka kish qenë virtuale dhe me kaq, me të thënën, me vënien e gishtit mbi plagë, u zgjidh problemi, u mbyll pengu, u shëruan plagët dhe bashkë me këto edhe detyrimi qytetarit të ‘të përgjegjshme e të angazhuar’, siç na pëlqen ta cilësojmë veten! Kjo na qenkësh, pra, liria që paskemi fituar? E drejta për të pasur gjuhën zgjidhur? E drejta për të pasur një ‘opinion’ kundër apo pro? E drejta e përdorimit me dy opsione-mundësi: ose të dëgjojmë se ç’kuvendon televizori, ose të kuvendojmë vetë në tavolinë? Liria është pjesëmarrje! Edhe unë mendoj po ashtu, siç thoshte kjo këngë e vjetër.
Kësaj shoqërie gojëçapëlyer i është mbushur mendja top - mjaft të flasim. Kur nuk flasim, hajt përflasim. Për të mos thënë askush, po them pakkush di t’i bëjë marshallah, t’i thotë bravo, të lumtë punës së tjetrit. Pakkush është i gatshëm për një duartrokitje a një bis a një hap sado të vogël përpara. Shpata e Demokleut është një lodër kalamajsh para atij POR...! kundërshtues, shpesh gjithë helm të hedhur haptas në kupë. E mirë kjo antologji, POR... E mirë kjo opera, POR... I mirë edhe ky libër, POR... Por është dopjogjashta e ngecur në dorë të shoqërisë sonë, e cila e ka ngushtuar përmasën e lirisë që i është dhënë dhe e përdor atë vetëm për të thënë dhe për të gjykuar. Sa të drejtë ka të gjykojë e të flasë një shoqëri që, mes dy mundësive - të thënës dhe të bërës, zgjedh gjithmonë të parën? Po individët e saj më të selitur, me kokën plot dhe ballin ndritur, sa të drejtë kanë kur vetëm flasin e gjykojnë? Po sa rri, flet e bën sehir, bëj dhe ti një gjë, mor bir. Sigurisht, më të mirë!
2.
Dita e një individi, është gjithashtu dhe dita e një shoqërie. Ja ‘axhenda’! Të hënën takohemi dhe flasim për arsimin, dritat që nuk dimë nëse do i kemi me hyrjen e dimrit dhe fjalën me zulmë të njatij deputet trimit. Të martën mblidhemi sërish dhe flasim për shëndetësinë, për sigurimet e shëndetit dhe gjelin e detit. Të mërkurën mblidhemi sërish dhe flasim për rrugët dhe vdekjet në rrugë, horoskopin dhe rrugët e fatit. Të enjten flasim për sportin dhe çmimin e karburatit që nuk do e nuk do të ulet. Të premten flasim për mërzinë që ka pllakosur, për motin, për krizën, katastrofat në ajër, në det dhe për atë çikë gjë që quajmë jetë. Të shtunën i kthehemi sërish, si rikapitulim, bisedave për arsimin, shëndetin, besimin dhe shtetin, për dritat dhe shkollat, për ndergjegjen dhe njollat e kësaj shoqërie që vetëm konstaton, që vetëm flet, që din veç me thanë, se me ba, siç duket, duhen të tjerë njerz, që s’i ka lind ende nji nanë...
3.
Jemi të gjithë të një mendjeje se kështu nuk ecet, kësisoj nuk vazhdohet. Por kjo sërish është një fjalë gojet. Na duhen rrugë të reja, tekste të reja për nxënësit, spitale të mira, libra të tjerë për fëmijët që lexojnë për qejf, ilaçe të paskaduara për të sëmurët, më shumë liri për të lëvizur të gjithë dhe jo veç një pjesë, tubacione të tjera për ujin, salla të tjera leximi, koncerte të tjera argëtimi, fusha të tjera për sporte, etjeraetjeraetjera... Po këto me sa duket duhet t’i bëjë tjetërkush, jo ti që lexon dhe ti që flet. A thua rrjedhim vërtet prej atij soji hyjnor, që zgjidhte me fjalë gjithçka: Thua dritë dhe Drita u ba! E dinë apo e kemi harruar një proverb të moçëm, të thjeshtë fare, si të gjitha proverbat: BËJ ATË QË DO! DUAJE ATË QË BËN!
Nëse nuk di çfarë të bësh, pyet! Nëse nuk mund ta bësh, mësoje! Jo ne, por as Jezu Krishtit nuk do i kish besuar njeri, nëse pas fjalëve Ngrihu Llazar, Llazari nuk do të ringjallej, siç dhe ne shpresojmë, jo krejt pa shpresë, të ringjallet kjo shoqëri e të zgjohen këta njerëz, të cilët, për ta mbyllur si për pragfestë, po i përshëndes sërish me vargun e poetit Bardhyl Londo, që na kujton se dhe pas kaq kohësh këpucët na fusnin ujë.
14 Dhjetor 2008