E vërteta e nevojshme
Shume studiues thonë se Republika utopike e Platonit, edhe po të ishte bërë realitet, do të kishte dështuar, kur “gënjeshtra e nevojshme" të sfidohej nga “e vërteta e nevojshme”... Këto mbetje të "gënjeshtrës së nevojshme" nga periudha e Rilindjes, u gjallëruan e u përshtatën shpejt nga ideologët e komunizmit më 1944, kur lavdia personale dhe pushteti me çdo kusht u bënë qellimi i tyre. Dhe ashtu siç këshillonte Platoni, puna filloi me edukimin e brezit të ri, duke i thënë se “kur lindi partia, lindi drita jonë”. Gjithashtu, historia dhe historiografia shqiptare, e shkruar gjatë viteve të diktaturës, ra pre e “gënjeshtrës së nevojshe". Si pasojë, shumë shtrembërime fituan statusin e mitit, atë të paprekshmërisë dhe ende vazhdojnë të bëhen burim grindjesh e përçarjesh, sa herë që përballen me "të vërtetën e nevojshme".
Astrit LULUSHI (SHBA)
Çdo e keqe e ka një të mirë. Kjo shprehje ngushëlluese, fjalë e urtë, duket se vjen nga kohët më të lashta, ndoshta kur njerëzve u lindi ideja për një organizim të përsosur. Në Republikën e tij, shkruante Platoni (428 – 327 p.e.s.), brezi i parë, fëmijët e të rinjtë, do të arsimoheshin për të mësuar që të besonin se në të kaluarën kishin qenë krijesa të dobëta, të pavetëdijshme, por natyra i mori në mbrojtje dhe u kujdes, duke u dhëne formën fizike e intelektin. Kështu, ata do të mbeteshin gjithmonë mirënjohës ndaj së kaluarës. Të edukuar me konceptin e kësaj "gënjeshtre të nevojëshme", banorëve të Republikës së përsosur as që do t'u shkonte ndër mend të dyshonin e jo më të rebeloheshin ndaj së kaluarës, apo të kërkonin rishikimin e saj; historia e kaluar bëhej e padiskutueshme, ashtu siç ishin të pandryshueshme ligjet e natyrës, e të shenjta ato të perëndive.
Pasi të krijohej një shoqëri e tillë, Platoni thoshte se, që Republika të bëhej e suksesshme, duhej që besimi i krijuar nga "gënjeshtra e nevojshme" të ishte edhe i përherëshëm. "Kush lind filozof, në trupin e tij ka ar", argumentonte ai. "Kush lind mbikqyrës, kujdestar a roje ka vetëm argjend, dhe kush lind punëtor, ka vetëm bronx e hekur". Këto metale bëjnë pjesë në një grup, por janë të ndara, ashtu siç duhet të jenë edhe kastat e një shoqërie. Në këtë mënyrë, Platoni mendonte të krijonte besimin në të "vërtetën e përjetëshme" (aeterna veritas), e cila duhej të bëhej themeli i edukimit të brezit të parë të shtetit të ri të përsosur.
Por shume studiues thonë se Republika utopike e Platonit, edhe po të ishte bërë realitet, do të kishte dështuar, kur “gënjeshtra e nevojshme" të sfidohej nga “e vërteta e nevojshme”. Sipas tyre, njerëzit që besojnë në “të vërtetën e përjetshme” kanë mite, por jo histori. Ata u ngjajnë atyre që mendojnë se jeta është vetëm e lumtur, pa vuajtje a dhimbje. Por të duash lulet e të përçmosh dheun apo plehun ndotës, që ushqejnë ato, apo të mbash trëndafilat e të mohosh gjembat, do të thotë t’i shmangesh “të vërtetës së nevojshme, apo t'i ngjash atij që lutet: “Zot më shpëto nga vetja ime!"
Periudha e rilindjes evropiane (shek. 14 – 17) krijoi kushte për “të vërtetën e nevojëshme”. Koperniku, Bruno, Galileu e shumë të tjerë, pranuan të vuanin apo flijoheshin për të mbrojtur idetë e tyre, të cilat do të trondisnin me themel një sistem mendimi dhe besimi me rrënjë të thella në "gënjeshtrën e nevojshme".
* * *
Kur filluan sipërmarrjen e tyre, Rilindasit shqiptarë (shek. 19-të) kishin një qëllim krejt ndryshe nga ai i Platonit dhe programi i tyre ishte më pak ambicioz, sesa ai i Rilindjes evropiane.
Objektivi i atdhetarëve ishte i thjeshtë: rizgjim i vetëdijes kombëtare dhe, përfundimisht, krijimi i një shteti shqiptar. Ata jo se nuk ëndërronin një shtet të përsosur, pasi njëri prej tyre, Sami Frashëri, shkroi “Shqipëria ç’ka qen녔, por realiteti i kohës si një e “vërtetë e nevojeshme” i bëri ata të pajtoheshin me krijimin e një shteti të çfarëdoshëm.
Mitizimin apo "gënjeshtrën e nevojëshme" rilindasit e përdorën ashtu si mjeku kloroformin, vetëm për të sjellë në vete pacientin.
Por kur shteti shqiptar u krijua më 1912, hija e miteve mbeti, ashu si sot parrullat euforike të së kaluarës shihen të zbehta e vende-vende nëpër mure a faqe mali. Këto mbetje të "gënjeshtrës së nevojshme" nga periudha e Rilindjes, u gjallëruan e u përshtatën shpejt nga ideologët e komunizmit më 1944, kur lavdia personale dhe pushteti me çdo kusht u bënë qellimi i tyre. Dhe ashtu siç këshillonte Platoni, puna filloi me edukimin e brezit të ri, duke i thënë se “kur lindi partia, lindi drita jonë”.
Gjithashtu, historia dhe historiografia shqiptare, e shkruar gjatë viteve të diktaturës, ra pre e “gënjeshtrës së nevojshe". Si pasojë, shumë shtrembërime fituan statusin e mitit, atë të paprekshmërisë dhe ende vazhdojnë të bëhen burim grindjesh e përçarjesh, sa herë që përballen me "të vërtetën e nevojshme".
Nietzsche (1844-1900) thoshte se ndjenjat, me të cilat njeriu lind, i garantojnë atij se ështe qenie që mendon, por jo që jeton. Për të jetuar ai duhet të lihet i lirë. Por edhe njerëzit e lirë kanë probleme; parimisht ata vuajnë nga e keqja historike apo kujtesa se dikur kanë qënë në pranga. Duket se fshirjen e kësaj kujtese e merr përsipër “gënjeshtra e nevojshme".
Plutarku (46 p.e.s. - 120 e.r.) sikur e kuptoi fuqinë e ideve dhe të keqen që vjen nga shpërdorimi i tyre. Nisur nga kjo, ai filloi të shkruajë “Jetë paralele”, gjithsej 19, për t'i zhveshur figurat e antikitetit nga çdo mit apo teprim. Ndoshta falë përshkrimeve të tij biografike, emrat e shumë personaliteve, përfshi Aleksandrin e Madh dhe Pirron e Epirit, sot shihen si figura historike, ndërsa periudha që Plutarku trajtoi në shkrimet e tij, mendohet të jetë ndër më të dokumentuarat e antikitetit. Plutarku thoshte se miti e bën historinë të duket si sipërfaqja e turbullt, ku njeriu e sheh veten të shpërfytyruar, ndërsa e zhveshur nga mitet, historia bëhet pasqyrë e qartë ku, duke u parë, njeriu mund të përmirësojë jetën dhe karakterin e vet.
Thuhet se Plutarku ishte një nga kujdestarët a priftërinjtë e fundit të Orakullit të Delfit dhe, si i tillë, deshmitar i përditshëm i shprehjes “Njih veten – Shmang ekstremet”, një këshillë e gdhendur në hyrje të tempullit. Por kjo urtësi ishte e vështirë për t’u ndjekur, sepse Orakulli nuk tregonte. Ai vetëm linte të kuptohej.
14 Dhjetor 2008