E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Numërimi elektronik kërkon kohën dhe trajnimin e nevojshëm”

19-05-2012 / Gazeta 55

Reagon ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth: “Reforma zgjedhore të përfundojë brenda 24 majit”

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth vlerësoi frymën e bashkëpunimit mes palëve për sa i përket reformës zgjedhore dhe theksoi rëndësinë e arritjes së konsensusit brenda afateve të caktuara, përpara zgjedhjeve presidenciale. Ambasadori Wollfarth sqaroi qëndrimin e OSBE-së për numërimin elektronik të votave, duke theksuar se ky proces kërkon kohë dhe trajnim para se te aplikohet. “Për sa i përket reformës së Kodit Zgjedhor, do të doja të thosha se dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dhe ekipet e tyre politike kanë bërë deri më tani një punë të mirë. Mbetet tashmë vetëm milja e fundit e cila duhet të vendoset në një nivel politik, por unë jam i bindur se një zgjidhje mund të gjendet. Për sa i përket numërimit elektronik ndoshta nuk ka një njohje të mjaftueshme të asaj ku e bazon OSBE-ODIHR këshillën e vet. Këshilla e këtij organizmi vjen në bazë të një eksperience të gjerë që ODIHR mbledh përmes vëzhgimeve të zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme në shumë vende të botës. Pikërisht nga kjo platformë ODIHR këshillon se për aplikimin e numërimit elektronik të votave duhet trajnim, duhet gjithashtu një kohë e mjaftueshme për futjen në përdorim të këtij sistemi. Ky është një investim që duhet bërë, pra duhet eksperiencë ndaj duhet të realizohet as më shumë e as më pak po hap pas hapi”, vuri në dukje Wollfarth.
Gjithashtu, ambasadori i OSBE-së është ndalur edhe te procesi për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm duke lëshuar edhe apele të qarta ndaj politikës, kryesisht për dialog dhe gjetjen e një konsensusi mes palëve. “Një mesazh i rëndësishëm që mund të japë Shqipëria për komunitetin ndërkombëtar do të ishte gjetja e një zgjidhjeje konsensuale për president, pra gjetja e një ose disa kandidatëve që mund të gëzonin konsensus. Unë shoh që dialogu po vazhdon, shoh që ka gjithnjë e më shumë biseda serioze për identifikimin e një apo disa kandidatëve të mundshëm, por shoh gjithashtu edhe një lloj dialogu mes partive politike dhe kryetarëve të tyre. Unë shpresoj që të kemi një proces dinjitoz dhe një zgjidhje të mirë në frymën e konsensusit”, nënvizoi Wollfarth, lidhur me këtë çështje.
Këto komente Wolfarth i bëri pas një vizitë në komunën e Shëngjinit i ftuar nga kreu i kësaj njësie vendore Salvador Kaçaj. Gjatë takimit në Shëngjin kreu i OSBE-së është ndalur tek rëndësia që ka zhvillimi i pushtetit vendor dhe sidomos ai në zonat turistike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›