“Presidenti i Republikës do jetë atribut i mazhorancës”
Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi shprehet se Presidenti i ardhshëm do vijë nga mazhoranca. Gjatë një deklarate për mediat, Idrizi theksoi se mekanizmat kushtetues janë të tillë që, i jepet hapësirë konsensusit në 3 raundet e para, ndërsa në dy të tjerat zgjedhja e kreut të shtetit bëhet me shumicë të thjeshtë. “PDIU e ka shumë të qartë profilin e saj edhe për mishërimin e figurës së ardhshme në Presidencë. Duam një president të nivelit të lartë, figurë publike dhe politike. Një person që të jetë garant i Kushtetutës dhe garant i unitetit kombëtar të shtetit. Edhe po të flasim për një president të pranuar nga palët, mund të kemi edhe një president nga mazhoranca dhe këtë mundësi e jep kushtetuta. Në 3 raundet e para ne shkojmë drejt një kandidati konsensual. Nëse kjo nuk i jep zgjidhje, atëherë mazhoranca ka të drejtë të kandidojë një emër të saj”, u shpreh Idrizi.
Kreu i PDIU, theksoi se PD ka emra të përshtatshëm për të kandiduar, i cili domosdo nëse përmbush kriteret, mund të marrë “ok”-in e aleatëve dhe më pas, ekziston çdo mundësi që të marrë edhe mbështetjen e opozitës. “Partia më e madhe në qeveri me 68 deputetë dhe me 100 anëtarë të Këshillit Kombëtar, padyshim që ka emra specifikë për profilin e Presidentit. Dy vota tona do jenë ‘pro’ kësaj kandidature. Theksoj dhe njëherë se bisedimet në tryezën e aleatëve, do jenë ato që do e çojnë këtë proces drejt një unisoni në Kuvend”, theksoi ai. Idrizi tha gjithashtu se PDIU do kërkojë që Presidenti i ardhshëm i Republikës, duhet të shprehet qartë dhe të ngrejë zërin për zgjidhjen e çështjes çame.