Poezia është më e shkurtër në kthim
Parid TEFERIÇI
Me kryeneçësi, Besnik Mustafaj ka mbi njëzet vjet pa botuar poezi. Libri i fundit i tij mbetet “Fytyrë burri” e 1987-s, ndërsa “Legjenda e lindjes sime”, më 1998, ishte një retrospektivë e vetë autorit. Në një truall kaq pjellor vjershërimi sa ky i yni, plot “borgjezë fisnikë” me bibliografi të pasur në botime poetike, ky refuzim i tij do të meritojë nga historia e letërsisë një vëmendje të veçantë. Edhe këto poezi të stinës së tij të re, na risjellin të njëjtën fizionomi që e bënte të veçantë poetin Besnik Mustafaj të viteve tetëdhjetë: “mëkatin” e tij të cerebralitetit, shpërfilljen ndaj “lirikes”, ndaj “melodisë”, ndaj patetikes, ndaj “frymëzimit”. Është po ai që habiste me “Dashuria është e bukur vetëm kur nuk dashuron”, teksa endej në një realitet muzgu, duke “mësuar ëndrrën e të bërit burrë”, ndërkohë që “Tutje, në furrën e ndezur të perëndimit \ gatuhet bronzi \ për burrat që do t’i meritojnë statujat”.
Mustafaj vijon të jetë një vizionar i konkretes, gjithmonë në kërkim të asaj “hallke që nuk mban më”, aty ku konstatimi është më i vështirë se alkimia, ku nuk të mbërrin “asnjë metaforë e ndritshme” për të parë më mirë. E gjitha kjo, e ngritur mbi një themel të fortë basi, me tonin “e ulët” që lipset për t’u familjarizuar me të panjohurin, me tjetrin, me botën. Mustafaj i largohet “lirikes”, siç piktura e vërtetë i largohet “piktoreskes”. Poezia e tij nuk është produkt i harlisjes metaforike, e cila me folklorofilën e analogjive jeshilos me vegjetacion gjithçka. Këtu jemi në kuota malore dhe gjelbërimi është i pakët e kryeneç, ajri është i rralluar e i ftohtë, format janë të zhveshura.
Një masë gjuhësore e ngacmuar nga zgjuarsia, me parimin e gërryerjes dhe jo të lëmimit. Gërryerja shpie në fund në një precipitat kuptimor të papritur, duke ngjyruar me komplementarin e vet edhe pjesën tjetër, ashtu si na mbetet në retinë e blerta pasi shohim një fustan të kuq.
Rruga nga jeta tek poezia është më e shkurtër në kthim. Por t’i thuash “bukës bukë” në poezi është gënjeshtra më e madhe, është kapërcim i një vakti. Njëherësh përtej tundimit ornamental dhe atij lapalisian, mendimi i Mustafajt nuk ndotet nga urgjenca e sintezës, por shtrihet kahera në një ritëm të gjerë, diçka midis rrëfimit të një anekdote dhe rrëfimit të një sekreti. Gjuha poetike për të s’ka pse të jetë një gjuhë speciale, s’ka pse të ngjeshet nga dyndja e artificave për të mbuluar silogjizmat. Është gjuha me të cilën mendohet, kur mendohet qartë. Është pjesëmarrja me realitetin, në të gjitha rrudhat dhe palat e tij, dhe jo qëndrimi “i frymëzuar”. Vëmendja dhe jo sajimi. Zbulimi, jo shpikja. Por më shumë se çdo teori kritike, më shumë se çdo manifest, ja ku e keni poetikën e Mustafajt, në këto vargje të tij: “Isha para një gruaje të bukur, jo para një pikture, \ Jo para një skulpture romake, isha para një gruaje të bukur, \ Ajo më shihte drejt në sy, e gjallë e diç më thoshte, \ Tregonte diçka për vete a për mua a për një ëndërr fare pa lidhje me ne të dy.” Duke lexuar këto poezi kuptojmë edhe sa shumë na kishte munguar tërë këto vite një poet si Mustafaj. Kishim nevojë për të.
31 Mars 2008