E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthime masive në Kapshticë, policia greke nis spastrimet në kufi

Klandestinët shqiptarë, që kalojnë ilegalisht kufirin me Greqinë janë shtuar së tepërmi ditët e fundit, teksa po kaq janë shtuar dhe kontrollet e policisë greke. Kjo e fundit ka shtuar numrin e efektivave në kufirin Shqipëri-Greqi, që përkon kryesisht me vijën kufitare në rrethin e Devollit dhe atë të Korçës. Megjithëse kthimet gjatë ditëve të fundit janë shtuar së tepërmi, jo në të gjitha rastet policia e vendit fqinj është e suksesshme. Një pjesë e konsiderueshme e grupeve të klandestinëve, arrijnë të futen në thellësi të tokës greke, ndërsa të shumta janë rastet kur ata bien në dorën e policisë, e cila i kthen pas në pikën kufitare të Kapshticës. Shifrat tregojnë se numri i të kthyerve është i konsiderueshëm, ndërkohë që mosha e tyre është nga 15-40 vjeçar. Të kapurit pranë kufirit Shqipëri-Greqi vijnë kryesisht nga rrethet veriore të vendit dhe janë të papunë. Ata synojnë të gjejnë punë gjatë sezonit të verës në shtetin fqinj, për të ndihmuar ekonomikisht familjet e tyre të varfra. Gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare të Kapshticës janë kthyer nga policia greke 125 klandestinë, të gjithë pa dokumente, të kapur në thellësi të territorit grek. Klandestinët, janë kapur në afërsi të Follorinës dhe Kosturit, dhe kishin vetëm nga një ose dy ditë që kishin hyrë në Greqi. Përmirësimi i kushteve klimaterike të motit, përbën avantazh për hyrjet klandestine në Greqi, të emigrantëve të paligjshëm, të cilët bëjnë dy ose tre ditë rrugë në këmbë për të hyrë në thellësi të tokës greke. Sipas informacioneve nga policia kufitare në Kapshticë, mësohet se edhe gjatë javës së kaluar, kthimet kanë qenë të konsiderueshme dhe vetëm brenda një jave janë kthyer rreth 500 klandestinë nga policia fqinje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›