E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transparency International: Partitë fshehin paratë e fushatës dhe programin elektoral

TIA, apel subjekteve politike: Deklaroni dhuratat mbi 100 mijë lekë
Transparency International sjell me shqetësim të madh në vëmendje financimet e partive politike në fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas saj, vihet re një mungesë totale e transparencës ndaj publikut. Kjo organizatë ndërkombëtare iu bën thirrje liderëve të partive politike të bëjnë publike faturën financiare të çdo aktivitetit elektoral. Më tej, organizmi i Transparency International Albania ka vënë në dukje edhe faktin se partitë politike duhet të publikojnë faturat e aktiviteteve të tyre. Kjo sipas drejtuesve të saj, edhe në kuadrin e përmbushjes së kushtit për deklarimet e financimeve të secilës parti në kuadrin e zgjedhjeve në vendin tonë. Po kështu në respektim të Kodit Zgjedhor, Transparency International, u kërkon partive politike, të cilat kanë mbyllur më shumë se një javë fushatë elektorale, të publikojnë regjistrin e posaçëm te personave që dhurojnë më shumë se 100 mijë lekë, si dhe të bëjnë publik numrin e llogarisë bankare ku do të depozitohen këto financime. Sipas TIA, pas mitingjeve të mëdha e festave që zhvillohen në këtë rast po fshihen financimet private. TIA kërkon përjashtimin nga lista të kandidateve për deputete, te cilët kanë papajtueshmëri funksioni. Qytetarët ende nuk janë njohur me programet elektorale. Po ashtu ekzistojnë dyshime se disa prej kandidateve mbajnë në të njëjtën kohë edhe funksione të tjera. Ndërkohë transparenca e partive politike është në nivelet e ulëta, ndaj kërkojmë që pas çdo mitingu të publikohet lista e shpenzimeve të këtyre aktiviteteve, u shpreh Endrit Shabani, nga Tansparency Inernational Albania. Vetëm para disa javësh, ky organizëm publikoi një raport për shkallën e perceptimit të dukurisë së korrupsionit në Shqipëri. Ai ka evidentuar se Shqipëria kaloi 41 vende nga 2005-2008 në renditjen botërore të perceptimit të korrupsionit. Sipas të dhënave, në vitin 2005, perceptimi i shtetasve shqiptarë për korrupsionin dhe nivelin e tij, bëri që Shqipëria të renditej në vendin e 126-të në rang botëror. Gjatë një konference të posaçme për shtyp, TIA i kërkoi Qeverisë të publikojë listën e personave juridik që kanë përfituar fonde publike, ose kanë qenë partner me fonde publike gjatë 4 viteve të shkuara, në mënyrë që të verifikohet nëse këto subjekte po kontribuojnë apo jo në fushatën zgjedhore. TIA vlerëson se rritja e transparencës gjatë fushatës zgjedhore rrit mundësinë për të pasur një Parlament më cilësor, të përbërë nga deputet që për mandatin e tyre iu detyrohen vetëm qytetarëve që i kanë zgjedhur. Ndërkaq, Transparency International Albania, gjatë ditës së djeshme ka publikuar edhe një raport mbi situatën paraprake të përgatitjeve në kuadrin e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Ai ngre shqetësimin se partitë politike ende nuk kanë publikuar programin e tyre elektoral dhe kjo gjë mund të ndikojë në njohjen e mangët të qytetarëve me pikat e tij. Ndër të tjera, raporti citon se ekzistenca e programeve elektorale është në dyshim. Por në deklaratën e tyre për zgjedhjet e 28 qershorit, drejtuesit e këtij organizmi në vendin tonë kanë vënë në dukje edhe faktin se sistemi i ri zgjedhor ka dobësuar demokracinë e partive. TIA ka konstatuar se hartimi i listave të kandidatëve pa konsultime me publikun, pa pjesëmarrjen e strukturave vendimmarrëse të partive, pa debat brenda partive apo me elektoratin; si dhe dorëzimi i tyre në prag, apo përtej afateve ligjore ka demonstruar hapur dobësinë e këtij sistemi të ri zgjedhor si dhe dobësimin e demokracisë pjesëmarrëse brenda partive më të mëdha në vend. TIA ju kërkon partive politike që, në kuadër të transparencës përballë publikut, të publikojnë CV e kandidatëve me të cilët garojnë në këto zgjedhje. TIA vë re gjithashtu se disa kandidatë për deputetë kandidojnë në kundërshtim me ligjin pasi mbajnë një post tjetër të lartë. Duke rikujtuar nenin 69 të Kushtetutës, i cili sqaron papajtueshmërinë e kandidatit për deputet gjejmë vendin t'iu bëjmë thirrje partive politike që t'ju kërkojnë kandidatëve të tyre të japin dorëheqjen nga postet e papajtueshme me mandatin e deputetit, duke mos përdorur pushtetin për të ndikuar në fushatën zgjedhore, shprehet ndër të tjera Transparency International Albania. Si përfundim, tre ishin kërkesat themelore dhe të padiskutueshme të kësaj organizate për partitë politike: Transparencë me fondet e fushatës, me postet e kandidatëve, dhe me programet elektorale. Pasi siç vëren ajo publiku është njohur në mënyrë krejt sipërfaqësore me programet elektorale, ku jo rrallë është vënë në dyshim dhe ekzistenca e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›